(VIDEO) Ahmeti: Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës

(VIDEO) Ahmeti: Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës

Me flamuj të ngritur lartë dhe me thirrje për drejtësi, Prishtina të enjten pasdite u mbushë me mijëra qytetarë, të cilët protestuan kundër Gjykatës Speciale. Protestës iu bashkua edhe njëri ndër figurat e njohura nga lufta dhe politika shqiptare, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili edhe mbajti një fjalim para protestuesve. Ahmeti gjykimin ndaj krerëve të luftës së Kosovës e quajti padrejtësi historike. Sipas tij, Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës.

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË

Prandaj sot , si një trup, jemi këtu, për të kërkuar liri për çlirimtarët, që po trajtohen padrejtësishtë nga Gjykata Speciale. Kemi dalur sot për të kërkuar të drejtën tonë, UÇK ka të bërë një luftë të drejtë, luftë për liri, luftë për çlirim nga pushtimi. Që nga viti 1994 kur filloi të komunikojë veprimet e saj, ajo ka qen e qartë për qëllimin e saj çlirimtarë. UÇK i’u është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare” .

Protesën me anë të një statusi në Facebook e ka përkrahur edhe zv/kryeministri, Izet Mexhiti.

IZET MEXHITI, ZV/KRYEMINISTËR

Qëndrimi im ka qenë dhe ngelet parimor dhe i palëkundur: Lufta e UÇK-së në Kosovë, ajo në Preshëve si dhe në Maqedoni ka qenë e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër! Kjo ka qenë luftë për shtetshmërinë, për barazinë dhe për mbrojtjen e identitetit shqiptar në trojet e ish Jugosllavisë. Bota i ka njohur dhe i ka ndëshkuar agresorët dhe dhunuesit për krimet ndaj shqiptarëve. Çdo tendencë sot për ta barazuar dhunuesin me viktimën është e papranueshme, qoftë me normat e së drejtës ndërkombëtare apo me parimet e të drejtës zakonore”.

Protesta zgjati rreth një orë, ndërsa u organizua nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetje të gjerë nga qytetarë të të gjitha moshave, përfaqësues të shoqërisë civile, ish-ushtarë dhe familjarë të të akuzuarve. Me pankarta në duar si “Liria nuk gjykohet”, “UÇK nuk është krim” dhe “Drejtësi, jo padrejtësi”, protestuesit kërkuan drejtësi të barabartë dhe trajtim të ndershëm për të gjithë të akuzuarit.

Kujtojmë se në Hagë, prej disa muajsh po vazhdojnë proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ish-deputetin Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë dhe pas luftës së viteve 1998–1999.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING