Britania: Vendimi i Izraelit për të përshkallëzuar sulmet në Gaza i gabuar

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer deklaroi se vendimi i qeverisë izraelite për të përshkallëzuar më tej sulmet e saj në Rripin e Gazës është i gabuar dhe bëri thirrje për një rishqyrtim të menjëhershëm, transmeton Anadolu.
Starmer bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me vendimin e Kabinetit izraelit të Sigurisë të një plani të ri për të pushtuar qytetin e Gazës, i cili ndodhet në veri të Rripit të Gazës.
“Vendimi i qeverisë izraelite për të përshkallëzuar më tej sulmet e saj në Gaza është i gabuar dhe ne i kërkojmë fuqimisht që ta rishqyrtojë menjëherë këtë vendim. Ky veprim nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund këtij konflikti ose për të siguruar lirimin e pengjeve. Ai vetëm do të çojë në gjakderdhje të mëtejshme”, tha Starmer.
Ai thekson se kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet çdo ditë dhe se pengjet izraelite po mbahen në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore. “Ajo që na duhet është një armëpushim, rritje e ndihmës humanitare, lirimi i të gjitha pengjeve që ka Hamasi dhe një zgjidhje e negociuar”, shtoi kryeministri britanik.
Starmer mbrojti idenë se Hamasi nuk ka asnjë rol në të ardhmen e Gazës dhe krahas çarmatimit, duhet të largohet nga vendi.
“Ne po punojmë me aleatët tanë mbi një plan afatgjatë për të siguruar paqen në rajon si pjesë e zgjidhjes me dy shtete dhe në fund për të arritur të ardhme më të ndritur për palestinezët dhe izraelitët. Por, nëse të dyja palët nuk angazhohen në negociata me mirëbesim, kjo mundësi po zhduket para syve tanë. Mesazhi ynë është i qartë: Një zgjidhje diplomatike është e mundur, por të dyja palët duhet të largohen nga rruga e shkatërrimit”, tha Starmer.
Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi një plan të ri që parashikon pushtimin e qytetit të Gazës, i cili ndodhet në veri të Rripit të Gazës. Sipas burimeve lokale, ushtria izraelite po përgatitet të pushtojë të gjithë qytetin e Gazës në Rripin e Gazës.