HRW: Bomba të prodhuara në SHBA janë përdorur në sulmet izraelite ndaj shkollave strehimore në Gaza

Izraeli ka përdorur bomba të prodhuara në SHBA ndaj shkollave në Gaza ku strehoheshin civilë të zhvendosur, tha sot organizata Human Rights Watch (HRW), duke bërë thirrje për pezullimin e transferimit të armëve drejt Izraelit, transmeton Anadolu.
Në një raport, HRW-ja deklaroi se forcat izraelite kanë kryer “sulme të paligjshme dhe pa dallim” ndaj strehimoreve civile duke përdorur municione të furnizuara nga SHBA-ja, përfshirë bombat “GBU-39” të prodhuara nga kompania Boeing. Organizata dokumentoi sulme vdekjeprurëse ndaj dy shkollave të drejtuara nga OKB-ja në Deir al-Balah dhe në Qytetin e Gazës, ku u vranë të paktën 49 persona, shumica gra dhe fëmijë.
HRW-ja tha se nuk ka gjetur asnjë provë për objektiva ushtarake në shkollën e vajzave “Khadija” (më 27 korrik) apo në shkollën “al-Zeitoun C” (më 21 shtator 2024), bazuar në imazhe satelitore, video dhe dëshmi të dëshmitarëve. Autoritetet izraelite nuk i janë përgjigjur kërkesës së HRW-së për detaje rreth objektivave të shënjestruara apo masave të kujdesit.
“Sulmet izraelite ndaj shkollave që strehojnë familje të zhvendosura ofrojnë një pasqyrë të masakrës së përhapur që forcat izraelite kanë shkaktuar në Gaza”, ka thënë Gerry Simpson, drejtor i asociuar në HRW, duke u bërë thirrje qeverive, përfshirë SHBA-në, të ndalojnë mbështetjen ushtarake.
“Furnizimi nga qeveria e SHBA-së me armë për Izraelin, të cilat janë përdorur në mënyrë të përsëritur në sulme ndaj shkollave të kthyer në strehimore dhe për të kryer krime të mundshme lufte, i bën Shtetet e Bashkuara bashkëfajtore në përdorimin e tyre të paligjshëm”, thuhet në raport.
Organizata gjithashtu citoi të dhëna të OKB-së që tregojnë se midis 1 dhe 10 korrikut, forcat izraelite goditën të paktën djetë shkolla të kthyer në strehimore, duke vrarë 59 persona dhe zhvendosur sërish dhjetëra familje. Thuajse 97 përqind e shkollave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar që nga tetori 2023, shtoi ajo.
HRW-ja theksoi se sulmet ndaj shkollave pa objektiva të qarta ushtarake përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe mund të konsiderohen krime lufte.
Izraeli ka pretenduar se operativë të Hamasit kanë përdorur ambientet e shkollave si qendra komande, por sipas HRW-së, ka publikuar prova vetëm për disa raste të izoluara.
Izraeli ka vrarë mbi 61.000 persona në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë masive.