Netanyahu thotë se Izraeli synon ta pushtojë Gazën

Netanyahu thotë se Izraeli synon ta pushtojë Gazën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se Izraeli synon ta pushtojë Rripin e Gazës për të vendosur një administratë civile të ardhshme pa ndikimin e Hamasit, transmeton Anadolu.

“Synojmë (të marrim kontrollin e Gazës) për të garantuar sigurinë tonë, për të larguar Hamasin prej andej, për t’i mundësuar popullsisë të jetë e lirë… dhe për ta kaluar atë në një qeverisje civile që nuk është Hamas dhe as ndonjë që përkrah shkatërrimin e Izraelit”, tha Netanyahu kur u pyet gjatë një interviste për “FOX News” nëse Izraeli do të marrë kontrollin e Gazës.

Ai tha se qëllimi nuk është të qeveriset përgjithmonë enklava, por të hiqet Hamasi dhe të mundësohet një administratë tjetër lokale, e mbështetur nga partnerë rajonalë arabë.

I pyetur nëse Izraeli do të ripushtojë gjithë territorin, ashtu si para tërheqjes në vitin 2005, Netanyahu u përgjigj: “Nuk duam ta mbajmë. Duam të kemi një perimetër sigurie”.

“Nuk duam të jemi atje si një trup qeverisës. Duam t’ia dorëzojmë forcave arabe që do ta qeverisin siç duhet, pa na kërcënuar dhe duke u ofruar banorëve të Gazës një jetë të mirë”, shtoi ai.

Izraeli po përballet me zemërim të shtuar për shkak të luftës së tij shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61.000 njerëz janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar në prag të urisë.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij ndaj enklavës palestineze.

MARKETING