Apple i gdhend Trumpit emrin në qelq dhe ia vendos mbi ar 24 karatësh

Në një konferencë për media të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutuan planet për prodhimin e produkteve të Apple në SHBA, CEO i kompanisë, Tim Cook, befasoi Presidentin amerikan, Donald Trump, me një dhuratë simbolike, por luksoze.
Bëhet fjalë për një copë qelqi “unike” të prodhuar nga kompania Corning, e njohur si furnizuesi i xhamave për iPhone, e cila është vendosur mbi një bazë ari 24 karatësh.
Copa e xhamit është një disk i madh, në të cilin është gdhendur logoja e Apple, ndërsa në pjesën e sipërme figuron emri i Presidentit Trump.
Në pjesën e poshtme të saj është shtypur nënshkrimi i Tim Cook, bashkë me mbishkrimin “Made in USA” dhe vitin 2025.
Sipas mediave të huaja, që përcjell Telegrafi, kjo dhuratë simbolizon përkushtimin e Apple për të rritur prodhimin brenda Shteteve të Bashkuara.
Tim Cook është i njohur për aftësinë e tij për të ndërtuar marrëdhënie me liderë politikë, veçanërisht me Presidentin Trump. Pas fitores së Trump për mandatin e dytë presidencial, raportohet se shumë CEO të tjerë kanë kërkuar të ndjekin shembullin e Cook në këtë drejtim.
Megjithatë, Presidenti amerikan në të kaluarën ka kërcënuar Apple dhe kompani të tjera teknologjike me vendosjen e tarifave, në rast se nuk zhvendosin prodhimin në SHBA.