(VIDEO) Fëmijët në spitale, nuk do të humbin mësimin

Fëmijët e prekur nga sëmundjet e ndryshme, të cilët qëndrojnë për trajtim në klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup, për periudhë afatgjate, nga muaji shtator do të kenë qasje formale në mësimet e tyre shkollore, njoftoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në konferencën e përbashkët me ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu dhe drejtorin e kësaj klinike Rexhep Memedi. Ministrja Janevska tha se deri më tani janë bërë lëshime dhe diskriminime serioze ndaj këtyre fëmijëve dhe theksoi se me një projekt të mirë dhe një zgjidhje sistemike, tregohet se ky nuk është një problem i pazgjidhshëm.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Ky proces do të përmirësohet vazhdimisht. Ajo që është e rëndësishme është se në këtë moment, një numër i caktuar mësuesish që kanë fëmijë të tillë këtu tashmë po i nënshtrohen trajnimit, në mënyrë që nga 1 shtatori të mund ta realizojnë këtë proces. Dua të theksoj se asnjë fëmijë nuk duhet të privohet nga arsimi vetëm sepse po trajtohet. Sëmundja nuk do të thotë izolim, ndërprerje apo harresë”.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se me këtë projekt këtu do të punësohen edhe pedagog dhe psikolog në mënyrë që fëmijët përveç mësimit të kenë edhe ekspertë që do të ju ndihmojnë në rrugëtimin e tyre.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Nga sot mësimi në distancë do të jetë realitet për këto nxënës këtu. Ministria e arsimit ka bërë një material multimedial që do të mundet në distancë tu ofrohet këtyre nxënësve, ndërsa ne si ministri e shëndetësisë kemi krijuar infrastrukture në aspekt teknologjik dhe infrastrukturor që këto fëmijë të kenë mundësi të ndjekin mësimin në distancë”.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi tha se kjo do të jetë shumë motivuese për fëmijët në luftën e tyre kundrejt sëmundjes pasi që siç thotë ai një shëndet i mirë mendor e përmirëson edhe gjendjen fizike shëndetësore.
REXHEP MEMEDI, DREJTOR I KLINIKËS SË FËMIJËVE, SHKUP
“Arsimi nuk është vetëm një mjet mësimi por edhe një mjet kyq për stabilitetin emocional dhe ruajtjen e vetëbesimit të fëmijëve, kështu që përfshirja e fëmijëve nga spitali në arsimin formal do të thotë gjysma e shëndetit sespe shëndeti I mire mendor tek ata pacientë të rinjë do të thotë se ata shumë më lehtë dhe më të motivuar do ta kalojnë rrugën e trajtimit afatgjat”.
Memedi njoftoi se në klinikë ka pasur rreth 20 fëmijë, por tha se ky numër ndryshon herë pas here. Ai theksoi se zakonisht, tek fëmijët me sëmundje malinje, trajtimi ndonjëherë zgjat deri në 2 vjet.
Ky projekt realizohet nga ministria e arsimit dhe shkencës në bashkëpunim me ministrinë e shëndetësisë, klinikën për sëmundje të fëmijëve dhe organizatën SANO, e cila i ndihmon fëmijët të cilët vuajnë nga kanceri ose sëmundje të tjera malinje dhe kronike.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/