Gashi përkujton viktimat e vërshimeve tragjike në Hasanbeg: Dhimbja mbetet po aq e thellë

Gashi përkujton viktimat e vërshimeve tragjike në Hasanbeg: Dhimbja mbetet po aq e thellë

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përkujtuar me ndjenja të thella dhimbjeje dhe solidariteti viktimat e vërshimeve tragjike që goditën Hasanbegin në gusht të vitit 2016, duke marrë jetën e 23 qytetarëve.

“Nëntë vite më vonë, dhimbja mbetet po aq e thellë. Kjo fatkeqësi mori jetën e 23 personave dhe la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive”, shkroi Gashi në një postim, duke rikujtuar tragjedinë që tronditi vendin.

Ai theksoi se si banor i Hasanbegut dhe në rolin e tij si Kryetar i Kuvendit, ndjen një përgjegjësi të veçantë morale për të ruajtur gjallë kujtimin dhe respektin ndaj viktimave.

“Përveç dhimbjes, Hasanbegu dhe banorët e tij mbeten shembull i vlerave njerëzore, humanitare dhe të solidaritetit, që i bashkoi për të përballuar një nga momentet më të vështira”, shtoi ai.

Në përfundim të mesazhit, Gashi shprehu shpresën që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më, ndërsa ftoi për reflektim dhe lutje në kujtim të viktimave.

MARKETING