(VIDEO) RMV feston Ilindenin, krerët e shtetit me mesazhe uniteti

Maqedonia e Veriut sot shënon 122 vjetori i Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës dhe 80 vjetori i seancës së parë të Kuvendi Antifashist Çlirimtar Kombëtar Maqedonas (KAÇKM). Manifestimi qendror për shënimin e Ilindenit – Ditës së Republikës u mbajt në Krushevë të presidentja, Gordana Siljanovska Davkova vendosi lule në varrin e presidentit të Republikës së Krushevës, Nikolla Karev dhe mori pjesë edhe në disa aktivitete të tjera të mbajtura me rastin e kësaj feste.
Gordana Siljanovska Davkova, Presidente e RMV-së
“Ilindeni është një shembull i bashkimit për një qëllim të përbashkët dhe të mirën e përbashkët. Të dashur pasardhës të popullit të lavdishëm të Ilindenit, trashëgimtarë të vizionit, guximit dhe dashurisë së tyre të pamasë për atdheun, ju uroj nga zemra Ilindenin, festën e festave”.
Kryeparlamentari Afrim Gashi, përmes një telegrami ka uruar qytetarët me rastin e kësaj feste, duke thënë se, kjo ditë simbolizon përpjekjet historike për një shoqëri të lirë, të barabartë dhe demokratike, vlera që sot siç theksohet në telegram, janë themel i bashkëjetesës dhe institucioneve tona.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Kjo datë nuk është vetëm historia e shtetit, por edhe një përgjegjësi për ta ruajtur dhe avancuar më tej vizionin për një shtet modern, të orientuar drejt paqes, progresit dhe integrimit euroatlantik”.
Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski i shoqëruar nga një delegacion qeveritar, vendosi lule në disa lokacione në Shkup ku janë të vendosura përmendorët e figurave kyçe të kryengritjes së Ilindenit, ndërsa deklaroi se, Ilindeni është simbol i sakrificës që bënë brezat para nesh për një Maqedoni të lirë dhe se kjo është një ditë që na bashkon.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Le të na kujtojë sakrifica e tyre se çfarë shteti duhet t’u lëmë brezave që na vijnë, një shtet në të cilin kemi qytetarë të lumtur, një shtet që do të jetë i begatë, një shtet që do të jetë atdhe për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike. Le të na bashkojë kjo ditë, të festohet, të jetë e përjetshme për ne”.
Festën e kanë uruar edhe liderët opozitar të LSDM-së dhe BDI-së, Venko Filipçe dhe Ali Ahmeti. Filipç deklaroi se, vendi duhet të punojmë shumë, që më në fund të bëhet pjesë e Evropës ku përket, si në aspektin civilizues, kulturor ashtu edhe gjeografik. Ai porosit që të lihen anash ndarjet dhe kualifikimet e patriotëve dhe tradhtarëve, sepse patriotizmi i vërtetë është vetëm përparimi i shtetit tonë.
Ndërkaq, Ahmeti tha se, dy gushti i vitit 1903 ishte përpjekje e përbashkët e shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve për liri dhe barazi. Ai shtoi se, shqiptarët janë përcaktuar për shtet unitar dhe të përbashkët dhe të drejtë e të barabartë për të gjithë, partnere në NATO dhe anëtare e Bashkimit Europian dhe gjithçka tjetër që tjetër që thuhet, është propagandë për ndasi dhe qeverisje duke instaluar frigë fiktive tek qytetarët.
Teuta Buçi /SHENJA/