ASH-Taravari: Zero shqiptarë në punësime, VLEN hesht për premtimin e 2.500 vendeve

ASH-Taravari: Zero shqiptarë në punësime, VLEN hesht për premtimin e 2.500 vendeve

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj valës së fundit të punësimeve në institucionet shtetërore, të cilat sipas saj vazhdojnë të kenë karakter monoetnik, duke përjashtuar shqiptarët nga çdo mundësi avancimi apo punësimi.

Sipas ASH-së, vetëm gjatë ditëve të para të gushtit, në Agjencinë për Kadastrën e Pasurisë së Paluajtshme janë punësuar dhe avancuar 25 maqedonas dhe asnjë shqiptar, ndërsa në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë 20 maqedonas dhe sërish asnjë shqiptar.

“Ky është bilanci real i ‘përfaqësimit të drejtë dhe adekuat’ që propagandon kjo qeveri,” thuhet në deklaratën e ASH-së, duke akuzuar grupimin VLEN për heshtje të qëllimshme, në frikën e përballjes me skandale apo dosje të komprometuara.

ASH akuzon VLEN se ka mashtruar shqiptarët me premtime për 2.500 vende pune gjatë negociatave për formimin e qeverisë, të cilat tashmë duken si “fitore boshe për konsum elektoral”.

“Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Nuk do të pranojmë të jemi ‘zero’ në statistikat e administratës. Çdo rast i përjashtimit etnik do të dokumentohet dhe do të shërbejë si provë për regresin demokratik që po kalon vendi,” përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

MARKETING