Nikolloski: Presim rritje ekonomike prej 3.7 përqind të BPV-së

Autoritetet qeveritare presin që Bruto Produkti Vendor (BPV) i Maqedonisë së Veriut të rritet me 3.7% deri në fund të vitit 2025. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në një intervistë për “Newsmax Balkan”.
Sipas tij, një nga faktorët kryesorë të kësaj rritjeje janë shpenzimet kapitale, të cilat këtë vit kapin vlerën e mbi 800 milionë eurove, si dhe investimet në infrastrukturë në nivel komunal.
“Ne hymë në qeveri me ambicie të mëdha dhe besojmë se shpenzimet kapitale janë zemra e rritjes ekonomike të Maqedonisë. Presim që rritja prej 3.7% e BPV-së të jetë më e larta në rajon këtë vit”, tha Nikolloski.
Ai theksoi se Ministria e Transportit, që ai drejton, është nxitësi kryesor i këtyre shpenzimeve kapitale.
Nikolloski shtoi se qeveria synon ta rikthejë vendin në pozitat e mëparshme, kur Maqedonia e Veriut konsiderohej ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Ballkan. Ai përmendi se në gjysmën e dytë të vitit të kaluar tashmë janë parë sinjale pozitive dhe pret që rezultatet konkrete të vërehen gjatë këtij viti, i cili është i pari i plotë për qeverinë aktuale.