BDI: Qeveria vazhdon të heshtë për padrejtësinë ndaj komunave dhe përjashtimin e mërgatës – ky diskriminim nuk kalon!

BDI: Qeveria vazhdon të heshtë për padrejtësinë ndaj komunave dhe përjashtimin e mërgatës – ky diskriminim nuk kalon!
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh edhe një herë indinjatën e thellë për heshtjen e qëllimshme dhe të pajustifikueshme të Qeverisë ndaj vendimit antikushtetues dhe antiligjor që diskriminon komunat shqiptare dhe përjashton mërgatën nga llogaritja zyrtare e popullsisë.
Kanë kaluar ditë me radhë që kur u denoncua publikisht zvogëlimi i numrit të këshilltarëve në më shumë se 20 komuna ku praktikisht shlyhet mërgata, dhe Qeveria nuk ka dhënë asnjë sqarim, asnjë ndjesë, asnjë sinjal për përmirësim. Heshtja e tyre është dëshmi e qartë se diskriminimi institucional po ndodh me vetëdije dhe me bekimin e Qeverisë.
Sot, opinioni publik e di se ky vendim është ndërmarrë në shtator të vitit 2024, ku me një veprim të njëanshëm, është përjashtuar padrejtësisht diaspora, pra është goditur kryesisht mërgata shqiptare, duke ulur artificialisht përqindjen e shqiptarëve nga 29.5% në 24.3%.
Kjo shifër e sajuar nuk përfaqëson realitetin. Ajo është mjet për ta deformuar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale, për të na bërë më pak të dukshëm, më pak të rëndësishëm dhe më pak të përfaqësuar.
Gjykata Kushtetuese tashmë ka konstatuar se ky vendim bie ndesh me Kushtetutën. Megjithatë, Qeveria vazhdon të heshtë, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në qeveri, të cilët gjoja janë aty për të përfaqësuar interesat tona, heshtin me zell, me qetësi dhe me nënshtrim.
Le ta themi troç: këta të preferuarit e Kryeministrit janë aty jo për të mbrojtur shqiptarët, por për të normalizuar poshtërimin, për të amortizuar padrejtësinë, për të hequr zërin e shumicës shqiptare nga debati publik, dhe për të lehtësuar zbatimin e politikave diskriminuese të radhës.
Por kjo nuk kalon.
BDI nuk do të heshtë dhe nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për të ndëshkuar komunat shqiptare dhe për të fshirë mërgatën nga hartat institucionale të shtetit. Për këtë çështje tashmë kemi ndërmarrë veprime konkrete.
Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i vendosur që, përmes të gjitha instrumenteve ligjore, institucionale dhe demokratike, ta ndalë këtë praktikë diskriminuese dhe të sigurojë përfaqësim të drejtë për çdo qytetar, pa përjashtim, kudo që jeton.