(VIDEO) BDI kërkon vetting për funksionarët publikë – Mexhiti kundër: S’ka të drejtë morale të flasë për vetting

BDI iu ka bërë thirje të gjitha partive politike që të përkrahin propozim ligjin e BDI-së për veting për të gjithë funksionarët e posteve publike në 33 vitet e fundit. Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi në pres konferencën e sotme. Ai tha se kërkojnë hetim të përgjithshëm pa dallim të funksionit apo partisë që zyrtarët i takojnë.
ARBËR ADEMI, NËNKRYETAR I BDI-SË
“U bëjmë thirje të gjitha partive politike parlamentare që të mbështesin propozim ligjin e BDI-së për veting me mbikqyrje ndërkombëtare, një proces gjithpërfshirës dhe i pa kompromis që do të rikthejë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe institucione. Ritheksojmë poashtu vendimin tonë të kahershëm për hetim ndaj të gjitha partive politike pa përjashtim për periudhën e 33 viteve të fundit, kërkojmë poashtu verifikimin dhe kontrolin e prejardhjes së pasurisë për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 33 vitet e fundit”.
I pyetur lidhur me kërkesën e BDI-së për veting zv. Kryeministri Izet Mexhiti, tha se një parti e cila pjesën dërmuese të kryesisë e ka në lista të zeza nuk ka të drejtë morale të flet për veting.
IZET MEXHITI, ZV. KRYEMINISTËR
“Një parti që gjysmën e kryesisë e ka në lista të zeza dhe gjysmën tjetër e ka në procedura penale me etiketa si pacientë e etiketa tjera mendoj se nuk kanë të drejtë morale të flasin për veting. Vetingu më i mirë I tyre do të jetë qytetarët tua bëjnë vetingun e fundit dhe ti përcjellim në histori”.
Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi akuzoi VLENIN se në qeveri heshtin për këto tema, për të cilat tha se janë shumë të rëndësishme.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/