Netanyahu po shqyrton aneksimin e disa zonave të Gazës

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i paraqiti kabinetit të tij të sigurisë një plan për të aneksuar disa zona të Gazës në mënyrë që të mbajë në qeveri ministrin e Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, i cili ka kërcënuar të japë dorëheqjen, transmeton Anadolu. Sipas lajmit të gazetës “Haaretz”, Hamasit do t’i jepen disa ditë për të pranuar armëpushimin në Gaza dhe nëse kjo nuk ndodh do të vihet në zbatim plani i cili parashikon aneksimin me faza të një pjese të Gazës. Smotrich ka sinjalizuar tërheqjen e tij nga qeveria izraelite nëse lejohet hyrja e ndihmës humanitare për Gazën.
Ndërkaq, mediat holandeze kanë raportuar se, Holanda ka ndaluar hyrjen në vend të ministrit të Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, dhe ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, duke i shpallur persona non grata për thirrjet e tyre për “spastrim etnik” në Rripin e Gazës. Në përgjigje të një pyetjeje parlamentare, ministri i Jashtëm holandez Caspar Veldkamp justifikoi ndalimin të hënën vonë, duke thënë se dy ministrat izraelitë “kanë nxitur në mënyrë të përsëritur dhunën ndaj popullsisë palestineze, kanë promovuar vazhdimisht zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme dhe kanë bërë thirrje për spastrim etnik në Rripin e Gazës.”
Nga ana tjetër, kamionët me ndihma humanitare rifilluan lëvizjen e tyre nga Egjipti drejt Rripit të Gazës, duke shënuar ditën e tretë radhazi të shpërndarjes së ndihmave. Megjithatë, Rripi i Gazës, po vazhdon të përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike. Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen. Ndërkohë, ushtria izraelite me sulmet e përditshme që kryen bombardon tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve. /SHENJA/