“Europa duhet të mbledhë veten”, Trump në Skoci: Emigracioni masiv po e dëmton kontinentin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta për çështjen e emigracionit, gjatë një vizite katërditore në Skoci, ku po qëndron në klubet e tij të golfit në Aberdeen dhe Ayrshire.
Gjatë mbërritjes në aeroport të premten në mbrëmje rreth orës 20:30, Trump u prit nga Sekretari Skocez, Ian Murray, dhe më pas foli me gazetarët. I pyetur për emigracionin e paligjshëm – një çështje e ndjeshme në Britaninë e Madhe dhe në gjithë Evropën – Trump u shpreh me tone të ashpra.
“Për emigracionin, më mirë mblidheni veten. Nëse nuk e bëni, nuk do ta keni më Evropën,” tha Trump. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “muajin e kaluar nuk patën askënd që hyri në vend”.
Trump paralajmëroi se emigracioni masiv po dëmton kontinentin evropian: “Duhet ta ndaloni këtë pushtim të tmerrshëm që po ndodh në Evropë. Po e vret Evropën.”
Komentet e tij vijnë në një moment tensioni në Mbretërinë e Bashkuar, pas protestave në Epping lidhur me strehimin e emigrantëve në dy hotele lokale. Qindra qytetarë marshuan me pankarta nga The Bell Hotel drejt këshillit vendor, ndërsa policia ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Në fund të mbledhjes, këshilli vendosi njëzëri t’i kërkojë qeverisë mbylljen e The Bell Hotel dhe The Phoenix Hotel si ambiente për strehimin e azilkërkuesve.
Trump gjithashtu përmendi disa liderë evropianë që sipas tij kanë ndaluar flukset migratore, por nuk përmendi emra konkretë. Ai vlerësoi kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, duke e quajtur “një njeri të mirë”.
“Më pëlqen kryeministri juaj. Është pak më liberal se unë, por është një njeri i mirë. Ka përfunduar një marrëveshje tregtare që e kishin negociuar prej 12 vitesh. E realizoi dhe është një marrëveshje e mirë për Mbretërinë e Bashkuar,” deklaroi Trump.
Ai tha se planifikon të takohet me Starmerin “nesër në mbrëmje”, megjithëse burime pranë Downing Street konfirmuan se takimi është parashikuar të zhvillohet të hënën.