Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit dorëzon listën e dëshmitarëve dhe provave në Dhomat e Specializuara

Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit dorëzon listën e dëshmitarëve dhe provave në Dhomat e Specializuara

Në konferencën për ecurinë e çështjes që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, trupi gjykues është njoftuar se mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit ka dorëzuar listën me dëshmitarët dhe provat materiale që planifikojnë të përdorin në mbrojtjen e tyre.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i cili tha se këto parashtrime janë dorëzuar më 21 korrik 2025.

“Të hënën, mbrojtja e Krasniqit dhe e Thaçit dorëzuan listën me provat materiale. Rrjedhimisht, trupi gjykues dëshiron të informohet nga mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit që dokumentet që u dorëzuan dje, janë tërësi e dokumenteve që synojnë të përdorin ekipet e mbrojtjes,” tha Smith III gjatë seancës.

Ndërkohë, avokati Aiden Ellis, i cili përfaqëson Jakup Krasniqin, sqaroi se për momentin nuk pritet të dorëzohen prova të tjera. Megjithatë, ai shtoi se nuk mund të japin ende informata të sakta në çfarë forme do t’i paraqesin ato në të ardhmen.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit vazhdon të zhvillohet në Hagë, ku ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

MARKETING