Shkëndija kualifikohet pas vazhdimeve, eliminon TNS

Kampionët e vendit, Shkëndija e Tetovës e ka kaluar pengesën e parë në eliminatoret për fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve. Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, sonte tetovarët vetëm pas vazhdimeve e thyen rezistencën e TNS-së dhe me fitoren 2-1 siguruan kalimin në raundin e dytë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, raporton SHENJA.
Sa i përket raportit të ndeshjes, serinë e golave e hapi Shkëndija në minutën e 18-të me golin e Tambës. Gëzimi i vendasve zgjati deri në minutën e 38-të, kur mysafirët barazuan shifrat me golin e Williamsit.
Deri në fund të kohës së rregullt nuk pati ndryshim rezultati, ndaj për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohej në fazën e radhës, u luajtën edhe vazhdimet. Në vazhdime, Shkëndija tregoi më shumë dëshirë për kualifikim dhe, falë autogolit të Bodenhamit, fitoi 2:1, duke siguruar kalimin në fazën tjetër të kualifikimeve. /SHENJA/