Begaj dhe Ahmeti për bashkëpunim të ngushtë Shqipëri–Maqedoni: Rajoni ka nevojë për drejtim europian

Begaj dhe Ahmeti për bashkëpunim të ngushtë Shqipëri–Maqedoni: Rajoni ka nevojë për drejtim europian

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i cili po qëndron në vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ka takuar edhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike”, njoftoi Beja.
Në kuadër të takimit, siç njofton Ahmeti, kanë biseduar “me përkushtim për përforcimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të plotë të rajonit tonë në Bashkimin Evropian”.

Më tej në takim, siç bëhet e ditur në njoftim, është vlerësuar se bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, do t’i japë rajonit drejtim të qartë europian.

“Bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona është kyç për të ndërtuar ura mirëkuptimi, për të forcuar partneritetet strategjike dhe për t’i dhënë rajonit një drejtim të qartë evropian.
Angazhimi ynë i përbashkët për të ardhmen evropiane nuk është vetëm objektiv politik, por vizion i përbashkët për paqe të qëndrueshme, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për qytetarët tanë”, thuhet në njoftim.

MARKETING