SHBA-ja vendos sanksione ndaj Raportueses Speciale të OKB-së, Francesca Albanese

SHBA-ja ka vendosur sanksione sot ndaj Raportueses Speciale të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Francesca Albanese, duke përmendur si justifikim “përpjekjet e saj për të nxitur” veprime nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) kundër zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, transmeton Anadolu.
“Sot po vendos sanksione ndaj Raportueses Speciale të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Francesca Albanese, për përpjekjet e saj të paligjshme dhe të turpshme për të nxitur veprime (të GJNP-së) kundër zyrtarëve, kompanive dhe drejtuesve amerikanë dhe izraelitë”, shkroi Sekretari i Shtetit Marco Rubio në X.
Duke akuzuar Albanesen për zhvillimin e një “fushate lufte politike dhe ekonomike” kundër dy vendeve, ai tha se këto veprime “nuk do të tolerohen më”.
“Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë partnerëve tanë në të drejtën e tyre për vetëmbrojtje”, shtoi ai.
Sanksionet pasuan një raport nga Albanese javën e kaluar që identifikoi korporata që dyshohet se lehtësojnë pushtimin izraelit në tokat palestineze, si Microsoft, Alphabet, Amazon dhe Palantir, që ofrojnë pajisje ushtarake, teknologji mbikëqyrjeje dhe infrastrukturë që mbështesin pushtimin e paligjshëm.