Kos: Serbia t’i përmbushë të gjitha detyrimet nëse e dëshiron integrimin në BE

Kos: Serbia t’i përmbushë të gjitha detyrimet nëse e dëshiron integrimin në BE

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se për t’u bashkuar me BE-në, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha detyrimet e saj, përfshirë zgjidhjen e çështjes me Kosovën.

Kos për Deutsche Welle ka deklaruar se BE-ja e mbështet rrugën e saj evropiane, por Serbia ndodhet në një situatë shumë të vështirë.

Ajo ka shtuar se askush nuk e detyron asgjë Serbinë, por për t’u bërë anëtare e bllokut duhet t’i përmbushë detyrimet.

“Zgjedhja për në BE sjell përgjegjësi. Askush nuk e detyron Serbinë. Por nëse thotë “po”, duhet të përmbushë detyrimet. Nëse arrijmë ta shpjegojmë më mirë pse BE-ja është e dobishme për Serbinë dhe sjellim investitorë që hapin vende pune, atëherë jemi në rrugë të mirë”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për protestat në Serbi, ajo ka thënë se ky vend duhet t’i dëgjojë qytetarët e vet.

“Serbia është në një situatë të vështirë. Bashkimi Evropian e mbështet rrugën evropiane të Serbisë dhe të popullit të saj. Por, megjithëse është vend kandidat prej shumë vitesh, nuk i ka përmbushur ende reformat e nevojshme. Ne po ndihmojmë që këto reforma të përmbushen. Protestat që shohim prej muajsh janë një shprehje e qartë e pakënaqësisë së qytetarëve”.

“Çdo qeveri duhet të dëgjojë qytetarët e vet. Në shumë pika, protestuesit kërkojnë të njëjtën gjë që kërkon edhe BE-ja: sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, liri të medias. Kemi një interes të përbashkët dhe shpresoj që do të mund të ndihmojmë në stabilizimin e vendit. Kam folur me shumë qytetarë, profesorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Serbi. Ja çfarë më kanë thënë në mënyrë të përmbledhur: së pari, thonë se BE-ja e mbështet presidentin Vuçiq. Së dyti, ju na keni bombarduar – edhe pse ishte NATO. Së treti, ju doni që Serbia të njohë Kosovën. Dhe së katërti, nuk duam të zemërojmë Rusinë. Këto ndjenja duhet të merren seriozisht. Duhet të komunikojmë më mirë përfitimet e zgjerimit”, ka thënë ajo.

MARKETING