Kurti: Do të bëjmë çmos për konstitiuimin e Kuvendit në afatin e caktuar nga Gjykata Kushtetuese

Kurti: Do të bëjmë çmos për konstitiuimin e Kuvendit në afatin e caktuar nga Gjykata Kushtetuese

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se do të bëjnë çmos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës në afatin e caktuar nga Gjykata Kushtetuese, jo më larg se 26 korriku 2025.

Pas takimit dyorësh të Kurtit me presidenten Vjosa Osmani në Zyrën e Presidentes në Prishtinë, Kurti në një deklarim për media tha se me presidenten Osmani zhvilluan bisedë në dritën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka kushtëzuar që Legjislatura e Nëntë e Kuvendit të Kosovës të formohet jo më vonë se 26 korriku.

“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura, konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet Kuvendit të ri të Republikës”, ka thënë Kurti.

Kurti bëri të ditur se në takim me Osmanin kanë diskutuar të gjitha elementet përbërëse të procesit dhe presidentja pas këtij takimi do të vijojë me takime edhe me përfaqësues të partive tjera politike “për të vlerësuar a kanë bërë dhe sa kanë bërë përparim”.

“Unë besoj se duhet t’i japim shansin edhe takimeve të tjera, dhe në fund të shohim se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”, përfundoi Kurti.

Presidentja Osmani sot do të takohet me krerët e partive shqiptare, ndërsa ditën e nesërme do t’i takojë edhe përfaqësuesit e partive të minoriteteve në vend.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 26 qershor, obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.

MARKETING