Rama në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Shkup: Kurrë më afër anëtarësimit se sot

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shkup, ku po merr pjesë në Samitin dyditor mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është fokusuar në zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, në nisje të samitit, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se vendet e Ballkanit janë sot më afër se kurrë realizimit të aspiratës për anëtarësim në BE.
“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh Rama.
Gjatë samitit, pritet që liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian të diskutojnë mbi zbatimin e Planit të Rritjes, një nismë që synon të afrojë më shumë vendet e rajonit me tregun e përbashkët evropian dhe të nxisë zhvillimin ekonomik.