Altun: Ndjekja e ShBA-së në rrugën e Netanyahut rrezikon paqen globale

Altun: Ndjekja e ShBA-së në rrugën e Netanyahut rrezikon paqen globale

Drejtori i Komunikimeve të Türkiyes, Fahrettin Altun, paralajmëroi të premten se sulmet ajrore të fundit të ShBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, të kryera në bashkëpunim me Izraelin, rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të minojnë stabilitetin rajonal.

MARKETING

“Sulmet ajrore të ShBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe lidhja e saj me agresionin izraelit ndaj Iranit janë një hap i ri që do të çojë drejt kaosit dhe konfuzionit, jo drejt paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme,” shkroi Altun në llogarinë e tij në X të dielën.

“Ashtu siç procesi i nisur me ndërhyrjet ushtarake të ShBA-së në Irak dhe Afganistan çoi në radikalizim dhe terrorizëm të shtuar në mbarë botën, edhe sulmi ndaj Iranit bart potencialin për pasoja të ngjashme.”

Türkiye ka bërë vazhdimisht thirrje për ulje tensionesh dhe dialog si rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon. Megjithatë, zhvillimet e fundit përbëjnë një përshkallëzim të ndjeshëm me pasoja të mundshme për të gjithë Lindjen e Mesme.

Pas sulmeve të ShBA-së, Irani ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mbajë një mbledhje urgjente për të dënuar agresionin amerikan dhe për të mbajtur përgjegjës ata që shkelin të drejtën ndërkombëtare.

“Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes ndërhyrjeve ushtarake të Amerikës dhe dinamikave që kanë ripërcaktuar hartën politike të Evropës përmes nxitjes së ksenofobisë dhe islamofobisë në Perëndim, dhe shtimit të ndjenjave anti-perëndimore dhe anti-amerikane në Lindje,” shtoi Altun.

“Nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndjekin rrugën e rrjetit të Netanyahut, në vend që të punojnë për t’i dhënë fund politikave gjenocidale të luftës së Izraelit dhe për të frenuar një administratë të pakontrolluar të Netanyahut, paqja globale do të bëhet një objektiv edhe më i largët.”

Armiqësitë nisën më 13 qershor, kur Izraeli ndërmori sulme ajrore në disa lokacione në Iran, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, gjë që shkaktoi kundërpërgjigje nga Teherani.

Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga sulmet me raketa të Iranit.

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë iraniane, në Iran janë vrarë 430 persona dhe mbi 3,500 janë plagosur nga sulmet izraelite.

“U bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të bashkohet rreth arsyes; të ngrihet kundër përpjekjeve të një rrjeti të pamatur për të provokuar dhe sabotuar sistemin ndërkombëtar; dhe të mbetet i përkushtuar ndaj diplomacisë në adresimin e çështjeve rajonale dhe globale,” theksoi Altun.

“Si Türkiye, nën udhëheqjen e Presidentit tonë, z. Recep Tayyip Erdoğan, do të vazhdojmë të ndjekim një qasje politike që mbron stabilitetin në rajonin dhe botën tonë, promovon paqen ndërmjet civilizimeve dhe nxit harmoninë mes Lindjes dhe Perëndimit.”

MARKETING