Policia malazeze sekuestron veturë të kërkuar nga Interpol në kufi me Shqipërinë, e drejtonte një kosovare

Një veturë e tipit BMW X1, e cila rezulton të jetë në kërkim nga Interpol Belgjika, është sekuestruar nga Policia e Malit të Zi në pikën kufitare Sukobinë – Muriçan, mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, shkruan Gazeta Sinjali.
MARKETING
Sipas autoriteteve, automjeti ishte duke u drejtuar nga një shtetase e Kosovës me inicialet L.B. Gjatë kontrollit të mbrëmshëm nga zyrtarët e Stacionit të Policisë Kufitare në Ulqin, u konstatua se vetura kishte urdhër kërkimi ndërkombëtar.
“Në bashkëpunim me oficerët e Departamentit të Sigurisë në Ulqin dhe në koordinim me Interpolin në Podgoricë, u konfirmua kërkimi aktiv. Me urdhër të prokurorit të Zyrës së Prokurorit Themelor të Shtetit në Ulqin, automjeti është sekuestruar,” thuhet në njoftimin e Policisë së Malit të Zi.
Ndërkohë, nuk janë dhënë informacione se çfarë veprimesh janë ndërmarrë ndaj shoferes kosovare.
Autoritetet nuk kanë sqaruar nëse ajo është ndaluar apo liruar në vendngjarje. Hetimet për rastin vazhdojnë.