ASH – Taravari shfaq diskriminimin në ndarjen e granteve: Stoilkoviç fshin shqiptarët, VLEN hesht si bashkëfajtor

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ka reaguar për ndarjet e fundit të granteve nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndëretnike, duke e cilësuar procesin si diskriminues dhe të motivuar politikisht kundër shqiptarëve.
MARKETING
Në një deklaratë publike, ASH denoncon liderin serb dhe ministrin aktual Ivan Stoilkoviç për margjinalizimin e organizatave shqiptare, duke nënvizuar se nga 3 projektet e përzgjedhura për shqiptarët, 5 u dhanë shoqatave serbe dhe disa të tjera komuniteteve jo-shumicë.
“Është kjo mënyra sesi Stoilkoviç e kupton bashkëjetesën ndëretnike – përmes diskriminimit sistematik të trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore shqiptare?”, shprehet ASH.
Partia e Taravarit akuzon gjithashtu Zëvendëskryeministrin Arben Fetai për parregullsi dhe mungesë transparence, duke theksuar se më 3 qershor – dy javë përpara publikimit zyrtar të listës – Fetai kishte njoftuar publikisht një shoqatë nga vendlindja e tij si përfituese të grantit. ASH kërkon sqarime urgjente, duke e cilësuar këtë veprim si manipulim dhe përdorim politik të pozitës.
ASH shtron publikisht pyetjen: “A është Ivan Stoilkoviç sponsori i fshehtë i tentativës për të përçarë Aleancën për Shqiptarët?”, duke lënë të kuptohet një bashkëpunim të dëmshëm mes Stoilkoviçit dhe disa figurave shqiptare brenda koalicionit VLEN.
Deklarata e ASH shkon më tej, duke akuzuar koalicionin VLEN për bashkëpunim të heshtur me figura që, sipas tyre, kanë dëmtuar interesat kombëtare shqiptare: “VLEN është bërë pjesë e një qeverie monoetnike që diskriminon shqiptarët, ndërkohë që përkëdhel me poste dhe privilegje vazalët që shesin interesin e popullit për interesa personale.”
Aleanca për Shqiptarët e përmbyll deklaratën duke theksuar se do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të qëndrojë kundër, siç e cilëson ajo, skemave antishqiptare që po zhvillohen në emër të bashkëjetesës.
“Heshtja e VLEN-it është bashkëfajësi. Shqiptarët meritojnë përfaqësim të ndershëm, jo pazar politik në kurriz të tyre,” – thuhet në fund të reagimit të publikuar nga ASH.