Barcelona-Nico Williams, këto janë zhvillimet e fundit

Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, ka ndryshuar qëndrim në lidhje me transferimin e yllit të Athletic Bilbaos, Nico Williams.
MARKETING
Edhe pse më herët këtë vit kreu i katalanasve e kishte përjashtuar mundësinë e afrimit të sulmuesit spanjoll, duke deklaruar se klubi kishte zgjedhur të fokusohej te Dani Olmo, së fundmi Laporta ka rihapur opsionin për transferimin e 22-vjeçarit në “Camp Nou”.
Sipas ‘Mundo Deportivo’ dhe ‘Sport’, vendimi i ri i Laportës vjen pasi është konfirmuar se Nico është i gatshëm të bëjë gjithçka për t’u bashkuar me Barcelonën.
Lojtari thuhet se ka një dëshirë të madhe për të veshur fanellën blaugrana dhe ka marrë mbështetje edhe nga lojtarët spanjollë të Barçës, të cilët i kanë përcjellë Laportës dëshirën e tij për t’u bërë pjesë e skuadrës katalanase.
Fillimisht, drejtuesit sportivë dhe stafi teknik i Barcelonës kishin vendosur që prioriteti në repartin ofensiv të ishte kolumbiani Luis Diaz i Liverpoolit.
Megjithatë, për shkak të moshës më të re të Nico-s dhe marrëdhënieve të shkëlqyera që ai ka me pjesën tjetër të lojtarëve të kombëtares spanjolle, tani opsioni për të transferuar talentin e Bilbaos është seriozisht në tavolinë.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Barcelona mund të bëjë një hap konkret në drejtim të afrimit të një prej yjeve më premtues të futbollit spanjoll.