VLEN: 38 shqiptarë punësohen në librat amë, ky hov i punësimeve nuk ndalet dot!

VLEN ka njoftuar se 38 shqiptarë janë punësuar në sektorin e librave amë, duke e cilësuar këtë si një hap drejt përfaqësimit dhe integrimit institucional. Sipas njoftimit, gjithashtu janë në procedurë hapja e zyreve të reja për librat amë në disa komuna ku më parë nuk ka pasur shërbime të tilla. VLEN e konsideron këtë një zhvillim administrativ me ndikim në përfshirjen e qytetarëve në institucionet shtetërore.
MARKETING
“Me kënaqësi dhe krenari njoftojmë opinionin publik se, për herë të parë pas shumë dekadash, 38 shqiptarë kanë nisur punë në sektorin e librave amë i cili është një hap i madh drejt barazisë, përfaqësimit të dinjitetshëm dhe integrimit real institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Punësimet e qytetarëve tanë tashmë kanë filluar, ky hov nuk ndalet dot. Bllokadat e sponsorizuara nga BDI përmes Taravarit morën fund. Tani çdo ditë e më shumë rritet numri i shqiptarëve që po punësohen në institucione të shumta. Po me këtë ritëm do të vazhdojmë akoma. Ne punësojmë sepse qytetarët tanë janë të aftë për të punuar. Punësimet tona nuk bëhen me kushtëzime e mito, por mbi bazën e meritës dhe parimit që njeriu i duhur në vendin e duhur.
Prandaj, veçojmë rastin që nën udhëheqjen profesionale të Faton Fazliut, po realizohet një transformim rrënjësor në këtë sektor vital për qytetarët. Janë në procedurë të avancuar edhe hapja e zyreve të reja për librat amë në komunat si Çashkë, Bërvenicë, Krushevë, Jegunovcë, Bogovinë dhe Dobridoll, zona këto që për vite të tëra ishin tërësisht të përjashtuara nga shërbimet shtetërore”, thonë nga VLEN.