Protesta në Berlin kundër bastisjes izraelite ndaj anijes humanitare Madleen

Qindra njerëz janë tubuar në kryeqytetin Berlin për të protestuar kundër bastisjes së Izraelit ndaj anijes civile humanitare Madleen, e cila u nis për të dërguar ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
MARKETING
Demonstruesit, që u tubuan në sheshin Alexanderplatz nën thirrjen “Ndaloni sulmin ndaj anijes Madleen”, dënuan ndërhyrjen izraelite ndaj anijes humanitare dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të 12 aktivistëve të ndaluar në bord.
Anija Madleen ishte pjesë e një iniciative humanitare ndërkombëtare që mbante furnizime thelbësore për popullin e Gazës, përfshirë formula për foshnje, miell, oriz, pelena, produkte sanitare për gratë, komplete për shkripëzimin e ujit, furnizime mjekësore, paterica dhe proteza për fëmijë.
Koalicioni i Flotiljes së Lirisë dërgoi anijen 18-metërshe Madleen nga Katania e Italisë, me qëllim për të shpërndarë ndihma, si dhe për të thyer bllokadën në Gaza.
Në bord ndodhen gjithsej 12 persona, përkatësisht 11 aktivistë dhe një gazetar.
Midis personave në bord janë aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg, anëtarja franko-palestineze e Parlamentit Evropian Rima Hassan, Yasemin Acar nga Gjermania, Baptiste Andre, Pascal Maurieras, Yanis Mhamdi dhe Reva Viard nga Franca, Thiago Avila nga Brazili, Suayb Ordu nga Turqia, Sergio Toribio nga Spanja, Marco van Rennes nga Holanda, si dhe Omar Faiad po ashtu nga Franca, një gazetar i Al Jazeera Mubasher.