Kolonët izraelitë djegin tokat bujqësore palestineze në Bregun Perëndimor

Kolonët izraelitë i kanë vënë zjarrin tokës bujqësore palestineze në lindje të Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
MARKETING
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, Wafa, tha se sulmi me zjarrvënie kishte në shënjestër një tokë midis fshatrave Al-Mughayyir dhe Abu Falah, me ushtrinë izraelite që ka mbrojtur kolonët gjatë sulmit.
Wafa vuri në dukje se përpjekjet e kolonëve për të djegur tokën palestineze në lindje të Ramallahut janë bërë dukuri e përditshme.
Sulmi i fundit vjen pas një sulmi të enjten pranë Salfitit, ku kolonët dogjën automjete të shumta që u përkisnin palestinezëve dhe u përpoqën të digjnin shtëpitë gjatë një bastisjeje në Bruqin, duke lënë tetë civilë me lëndime nga djegiet. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze raportoi se i trajtoi të gjitha viktimat në vend.
Që nga fillimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, gati 970 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 7.000 janë plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve të paligjshëm në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi korrikun e kaluar se pushtimi i gjatë i territoreve palestineze nga Izraeli është i paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.