(VIDEO) Ambasadori polak: Po punojmë për afrimin e qëndrimeve të Shkupit dhe Sofjes

Ambasadori polak në vend, Mariusz Brimora, në një intervistë për agjencinë shtetërore MIA ka bënë të ditur se në Bruksel po punohet edhe në nivel dypalësh për të afruar qëndrimet e Shkupit dhe Sofjes. Ai thekson se presidenca polake dëshiron ta çojë përpara procesin e zgjerimit, me shpresën për hapa konkretë dhe përparim konkret në proces, por që detyrimet e ndërmarra nga vendi ynë duhet të përmbushen.
MARKETING
Brimora thekson se vendi duhet të vazhdojë luftën kundër korrupsionit, i cili është problemi numër një në shoqëri, dhe se Qeveria dhe të gjithë aktorët politikë duhet ta vënë situatën nën kontroll. Ai thotë se reformat, paratë nga Plani i Rritjes, plus kushtet e nevojshme që duhen përmbushur në lidhje me ndryshimet kushtetuese, do të hapin dyert për fillimin e negociatave.
Mariusz Brimora, Ambasador Polak në vend
“Në fund të shkurtit, zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Marek Pravda, vizitoi Sofjen dhe zhvilloi bisedime atje, duke përfshirë zgjerimin e BE-së dhe rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Unionit. Pra, po bëjmë gjithçka që mundemi, por përsëri, kur më pyetni për hapin tjetër, përgjigjja ime është e njëjtë – duhet ta përmbushni detyrimin tuaj. Ky detyrim i Maqedonisë së Veriut është bërë gjithashtu pjesë e qëndrimit të Brukselit. Komisionerja Koss e bëri të qartë se pret që Maqedonia e Veriut të përmbushë detyrimet e saj në mënyrë që procesi të ecë përpara”.
Ndërkaq, kur Brimora u pyet nëse është e mundur një marrëveshje e re me Sofjen dhe nëse e ashtuquajtura “diplomaci e qetë” që po zhvillohet mund të sjellë rezultate, ai thotë se gjithmonë ka vend për diskutim dhe se përfaqësuesit e qeverisë shfrytëzojnë çdo mundësi gjatë takimeve me partnerët e tyre në forumet ndërkombëtare për të diskutuar këtë problem, por siç thotë ai, është e nevojshme të përmbushet një detyrim sipas marrëveshjes së vitit 2022.
Ai thotë se pritjet nga Qeveria janë që ajo të tregojë vullnet politik për ta çuar procesin përpara, duke përmbushur detyrimet e marrëveshjes, si dhe duke përfunduar procesin e reformave.
Mariusz Brimora, Ambasador Polak në vend
“Na duhet vullnet politik, duhet të përfundojmë reformat në Maqedoninë e Veriut dhe duhet të sigurohemi, dua të them politikanët këtu, që ata të mos e humbasin mbështetjen e shoqërisë maqedonase për anëtarësimin në BE, sepse ne tashmë e dimë se kjo mbështetje po bie, sepse shoqëria është tashmë e lodhur nga pritja”.
Tutje ai theksoi se aktualisht, Komisioni, Brukseli, Presidenca, të gjithë janë të përgatitur për procesin e zgjerimit, por siç thotë ai problemi është se ky lloj vrulli mund të mos zgjasë përgjithmonë, ndaj dhe detyra e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është ta shfrytëzojë këtë momentum për sa kohë që zgjat.
Anida Murati /SHENJA/