(VIDEO) Bujar Osmani me mesazh për të rinjtë: Politika është shërbim, jo luftë për pushtet

Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u drejtua me një mesazh frymëzues për studentët e Shkollës për Politikanët e Rinj – Dega e Shkupit, duke ndarë përvoja të tij personale nga rrugëtimi politik dhe duke dhënë këshilla të sinqerta për të rinjtë që synojnë të bëhen liderë të së ardhmes.
MARKETING
Në një fjalim para pjesëmarrësve, Osmani theksoi se angazhimi në politikë nuk duhet të nisë nga ambicia për pushtet apo tituj, por nga një ndjenjë e brendshme përgjegjësie dhe dëshira për të sjellë ndryshimin.
“Sot nuk jeni këtu sepse ju detyroi dikush. Jeni këtu sepse diçka brenda jush refuzoi të heshtë. Një zë i brendshëm që ju tha: ‘ndoshta jam unë që duhet të filloj’,” deklaroi Osmani, duke inkurajuar të rinjtë të mos heqin dorë nga idealet dhe pasionet e tyre.
Ai nënvizoi se politika nuk është një lojë apo garë për karrige, por një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Sipas tij, rruga në politikë do të jetë e vështirë dhe plot sfida, por e rëndësishme është që të rinjtë të mbeten të përkushtuar, të ruajnë integritetin dhe të punojnë për të arritur rezultate konkrete që kontribuojnë për një shoqëri më të mirë. /SHENJA/