BE do të përshpejtojë për shkencëtarët procesin e hyrjes dhe qëndrimit në Evropë

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen tha se do të lehtësojnë proceset e hyrjes dhe qëndrimit në Evropë për shkencëtarët dhe studiuesit dhe do t’u mundësojnë atyre të lidhen më lehtë me institucionet përkatëse, transmeton Anadolu.
Von der Leyen foli në mbyllje të aktivitetit “Zgjidhni Evropën për Shkencën” të organizuar nga Franca për të inkurajuar shkencëtarë nga e gjithë bota, veçanërisht nga SHBA-ja që të vendosen në Evropë.
“Besoj se shkenca mban çelësin e së ardhmes sonë në Evropë”, deklaroi Von der Leyen e cila shtoi se Evropa do të përqendrohet gjithnjë e më shumë te shkenca për të trajtuar sfidat aktuale globale, nga shëndeti te klima.
“Ne të gjithë pajtohemi se shkenca nuk ka pasaportë, gjini, etni apo parti politike”, tha Von der Leyen.
Duke iu referuar infrastrukturës shkencore dhe kërkimore të Evropës, presidentja e KE-së tha: “Evropa tashmë ka prodhimin e dytë më të lartë shkencor në botë. Ajo është shtëpia e më shumë se 2 milionë studiuesve, një e katërta e totalit botëror. Ne jemi liderë në teknologjinë e gjelbër, shëndetësi, ekonomi, menaxhimin dhe shkencat sociale”.
“Ne shkëlqejmë në fushat e kërkimit shkencor dhe teknologjisë që janë thelbësore për të ardhmen tonë, nga aeronautika te inxhinieria automobilistike, nga robotika, te bioteknologjia e deri te farmaceutika. Ne kemi infrastrukturë kërkimore të standardeve botërore, nga fizika e grimcave te biologjia molekulare dhe nga eksplorimi i hapësirës te bashkimi bërthamor. Kjo e bën Evropën lider në studimet bazë”, tha Von der Leyen.
Ajo theksoi se brenda kuadrit të këtij vizioni të ri të BE-së, ata do ta bëjnë migrimin në Evropë “më të lehtë dhe më tërheqës”. “Ne do ta përshpejtojmë procesin e hyrjes dhe qëndrimit në Evropë”, tha presidentja e KE-së e cila tha se ata do të mbështesin institucionet publike dhe private për t’u lidhur më mirë me punonjës dhe studiues të kualifikuar.
“Ashtu siç bëri dikur Marie Curie, mesazhi ynë për çdo studiues brenda dhe jashtë vendit, për çdo vajzë dhe djalë të ri që ëndërron një jetë në shkencë, është i qartë: Zgjidhni shkencën. Zgjidhni Evropën”, u shpreh Von der Leyen.
Presidentja e KE-së tha se do të propozojë paketë prej 500 milionë eurosh për të mbështetur studiuesit në periudhën 2025-2027.