Erdogan: Energjia e parë elektrike nga centrali “Akkuyu” do të lëshohet kah fundi i vitit

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan njoftoi të premten një hap të madh përpara në sektorin e energjisë të vendit, raporton Anadolu.
“Deri në fund të këtij viti, ne do të fillojmë prodhimin testues dhe do të shpërndajmë energjinë e parë elektrike nga Akkuyu”, tha presidenti turk në Samitin e Burimeve Natyrore në Istanbul.
Ai tha se vendi i tij ndërmori iniciativa të shumta për të kontribuar në sigurinë energjetike rajonale dhe për të lehtësuar krizën energjetike me të cilën përballen vendet evropiane.
“Shfaqja e Turqisë si një strehë e sigurt gjatë krizave energjetike të Evropës nuk është aspak rastësi”, u shpreh ai.
Presidenti sinjalizoi fazat përfundimtare të projektit ambicioz, i cili filloi në vitin 2017. “Ndërtimi i reaktorit të parë të termocentralit bërthamor ‘Akkuyu’ është drejt përfundimit”, tha Erdoğan.
Përveç përparimeve bërthamore të vendit, Erdoğan u ndal edhe në përpjekjet e Turqisë për burimet jashtë vendit. “Turqia synon të fillojë prodhimin e parë këtë vit në një fushë ari në Niger, gjë për të cilën e kemi marrë licencën”, theksoi presidenti turk.
Duke nënvizuar më tej arritjet e vendit në fushën e energjisë, ai tha: “Me operacionet në Gabar (në Turqinë juglindore), prodhimi ynë i përditshëm i naftës në të gjithë Turqinë tejkaloi 135.000 fuçi deri në fund të marsit 2025, duke vendosur rekord”.