Njohja e një shteti palestinez, diskutim mes Britanisë dhe Francës

Njohja e një shteti palestinez, diskutim mes Britanisë dhe Francës

Britania e Madhe është duke zhvilluar bisedime me Francën dhe Arabinë Saudite për njohjen e një shteti palestinez në një konferencë që pritet të mbahet në muajin qershor, nën organizimin e Parisit dhe Riadit.

Lajmi është konfirmuar nga sekretari britanik i Jashtëm, David Lammy, i cili foli për herë të parë për një bashkëpunim të tillë me Francën lidhur me procesin e njohjes së Palestinës si shtet.

Lëvizja, nëse realizohet, do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm diplomatik nga dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, ajo mbetet e ndërlikuar si shkak edhe i qëndrimit kundërshtues të Izraelit dhe mungesën e një qartësie rreth propozimeve konkrete që Franca po përgatit për konferencën.

Duke folur para Komitetit të Jashtëm të Parlamentit britanik, Lammy theksoi se Britania synon veprime që sjellin ndikim të vërtetë në terren dhe jo gjeste simbolike.

Ai vuri në dukje se njohjet e fundit të shtetit palestinez nga vende si Spanja, Norvegjia dhe Irlanda nuk kanë prodhuar ndryshim real në situatë.

“Askush nuk ka veto se kur e njeh Britania atë shtet palestinez… Ne gjithmonë kemi thënë se njohja nuk është një fund në vete dhe ne preferojmë njohje si pjesë e një procesi drejt dy shteteve”, u shpreh Lammy.

Ai konfirmoi gjithashtu përfshirjen aktive të Britanisë në diskutimet me Francën dhe Arabinë Saudite.

MARKETING