SHBA, nisin hetime ndaj Universitetit të Harvardit me pretendimin për “diskriminim racor”

SHBA, nisin hetime ndaj Universitetit të Harvardit me pretendimin për “diskriminim racor”

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka nisur hetime ndaj Universitetit të Harvardit dhe revistës së tij juridike “Harvard Law Review” mbi pretendimet se është kryer “diskriminim racor” në përzgjedhjen e artikujve, transmeton Anadolu.

Vazhdojnë mosmarrëveshjet midis administratës së Trumpit dhe Universitetit të Harvardit, i cili fillimisht është kritikuar ashpër nga qeveria federale për demonstratat e saj në mbështetje të Palestinës në kampusin e saj dhe më pas për vazhdimin e ndjekjes së programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.

Në një deklaratë të përbashkët, Departamenti Amerikan i Arsimit dhe Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore njoftuan se ka nisur një hetim ndaj universitetit dhe revistës pas pretendimeve se revista “Harvard Law Review” ka përdorur racën si bazë në procesin e përzgjedhjes së artikujve.

Në deklaratë theksohet se në kuadër të hetimit do të shqyrtohen pretendimet se revista ka “preferuar shkrimtarët duke u bazuar në racën e tyre dhe për shpërfillje të meritës” dhe se hetimi do të përfshijë lidhjet financiare të revistës, procedurat e auditimit, anëtarësimin dhe politikat e përzgjedhjes së botimit të artikujve.

Vihet në dukje se hetimi kryhet me qëllim për të përcaktuar nëse ka apo jo shkelje të Titullit VI të Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964, i cili institucioneve që marrin grante nga qeveria federale u ndalon të kryejnë diskriminim në bazë të racës.

– Mosmarrëveshja midis Trumpit dhe Harvardit

Administrata e Trumpit ka kërcënuar të ngrijë fondet federale për disa universitete, përfshirë Harvardin, duke përmendur ai arsye protestat në kampus në mbështetje të Palestinës dhe programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.

Në këtë kontekst, administrata ka vendosur të ngrijë financimin prej 2.2 miliardë dollarësh për Harvardin dhe tarifën e kontratës prej 60 milionë dollarësh.

Me argumentin se ngrirja e financimit është e paligjshme, universiteti gjithashtu ka ngritur padi ndaj administratës së Trumpit për të bllokuar vendimin e qeverisë federale.

MARKETING