(VIDEO) Shumica parlamentare rrezikon të ngelë pa “shumicë Badenteri”

Shumica parlamentare rrezikon të ngelë pa shumicë badenteri në rast se Aleanca për Shqiptarët del nga Qeveria. Badenteri është një mekanizëm i votimit të dyfishtë, i dalë nga Marrëveshja e Ohrit, që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, për ligjet e rëndësishme që miratohen në Kuvend. Më saktësisht, në një rast të tillë, Qeveria nuk do të mundte të votojë ligjet që janë të rëndësishme për shqiptarët, pa bashkëpunimin e opozitës, e cila do të kishte 27 deptuetë të komuniteteve joshumicë.
Megjithatë, kryeparlamentari Afrim Gashi nuk pret bllokadë të punës së Kuvendit, në një rast të tillë, pasi beson në konstruktivitetin e opozitës kur bëhet fjalë për ligje të rëndësishme. Gjatë brifingut të sotëm me gazetarët, Gashi tha se, tani për tani situata në funksioninim e deputetëve të Kuvendit mbetet e njëjtë dhe nuk ka asnjë ndyshim të grupit të deputetëve.
Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit të RMV-së
“Është pyetje hipotetike, nuk mund të përgjigjemi në situatën e re. Nuk dimë se çfarë do të ndodhë. Të presim edhe pak, kur të kemi situatë të re besoj se të gjithë opinioni do të jetë i informuar”.
Ky ishte brifingu i parë i kryeparlamentarit pas tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 62 persona. I pyetur se, pse Kuvendi nuk punoi dy javë dhe nuk pati seancë komemorative, Gashi në koordinim me të gjitha grupet e deputetëve, kanë konstatuar se në rast se, caktohet seancë komemorative për tragjedinë në Koçan, do të hapet çështja se pse nuk është mbajtur edhe për tragjedinë e Besa Transit dhe spitalit modular në Tetovë.
Në lidhje me interpelancën ndaj ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, Gashi pret që ajo të mbahet gjatë javës së ardhshme.
Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit të RMV-së
“Ende po rrjedhë afati sipas rregullores, ku ministri mund të japë përgjigje dhe në bazë të asaj të caktojmë seancën. Nëse nuk ka përgjigje edhe dy tre ditë, do ta caktojmë sa më shpejtë të jetë e mundur, në seance e parë të ardhshme. Presim që, me 29 mund të realizohet ajo seancë, ku pika e parë e rendit të ditës do të jetë interpelanca”.
Interpelanca ndaj punës së Toshkovskit u dorëzua 10 ditë më parë nga ana e grupit parlamentar të Levices, e cila bazohet në dhjetë pika, pesë prej të cilave kanë të bëjnë me ngjarjen tragjike në Koçan.
Teuta Buçi /SHENJA/