(VIDEO) “Kultura” protestoi për paga dhe kundër punësimeve partiake

(VIDEO) “Kultura” protestoi për paga dhe kundër punësimeve partiake

Vonesa e pagave, punësimet partiake, mos respektimi i Marrëveshjes së re Kolektive, marrja e vendimeve me dyer të mbyllura, këto ishin arsyet që nxorrën në rrugë qindra protestues, të punësuar në Ministrinë e Kulturës. Të mbledhur para ministrisë në të cilën punojnë, me pankarta në duar, e me muzikë në sfond, ata thanë se rreth 3000 të punësuar në këtë dikaster, kanë mbetur pa paga për festën e Pashkëve. Siç tha kryetarja e Sindikatës së Kulturës, Vera Atanasovska, nuk po protestojnë për luks, por për një të drejtë të garantuar me Kushtetutë.

Vera Atanasovska, kryetare e Sindikatës së Kulturës

Ne kërkojmë që të respektohen Marrëveshjet Kolektive dhe Ligjet. Ne kërkojmë kushte dinjitoze pune dhe trajtim dinjitoz të njerëzve që janë pjesë e vetë kulturës. Ne kërkojmë transparencë dhe menaxhim profesional të institucioneve kulturore, të lira nga kontrolli partiak. Ne kërkojmë një strategji për zhvillimin e kulturës. Ne këkrojmë ngritje në detyrë të përshtatshme për punonjësit”.

Sipas tyre, kjo situatë paraqitet çdo vit në këtë periudhë, prandaj janë detyruar të protestojnë. Ndërsa shtuan se Kultura nuk do të heshtë e as të frikësohet.

Elmir Sejfullai, punonjës kulture

Ne jemi këtu sot jo sepse duam, por sepse e kemi të patjetërsueshme. E kemi patjetër, sepse kjo çmenduri vazhdon për shumë kohë tani më, dhe çdo vit, në mars dhe prill, na sjell përsëri këtu, në prag të durimit dhe dinjitetit”.

Mbështetje për Sindikatën e Kulturës dha edhe Lidhja e Sindikatave, kryetari Sllobodan Trendafilov, ju bëri thirrje që ata të ju bashkohen protestës që do ta organizoj Lidhja e Sindikatave më 1 Maj.

Sllobodan Trendafilov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë

Si ministër me 79% pagë të rritur po Lufton kundër pagave tuaja të parapara me Marrëveshjen Kolektive, që personalisht mendoj se është e turpshme. Për fat të keq, sot nuk jeni vetëm ju pa paga, por edhe një pjesë e madhe e kolegëve tuaj në sektorin publik. Prandaj ju bëjë thirrje që më 1 maj të na bashkoheni në protestë”.

Punonjësit e kulturës protestën e nisën me muzik rock, e vazhduan me një interpretim nga të punësuarit e Operas dhe Baletit dhe e përfunduan me himnin e Maqedonisë.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING