Shtyhet gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit për 23 prill

Gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhoskit është shtyrë për 23 prill për shkak të mungesës së avokatit të të akuzuarit të parë, Lupço Palevskit.
Gjykatësi Ivica Stefanovski informoi se sot ka pranuar një parashtresë nga mbrojtësi i Palevskit, avokati Jovica Strashevski, me dokumentacion mjekësor dhe kërkesë për shtyrje. Gjyqtari tregoi se kjo është kërkesa e parë e tillë, por nëse do të përsëritet në të ardhmen do të caktojë një gjyqtar sipas detyrës zyrtare.
Seanca e radhës duhet të vazhdojë me dëshminë e të akuzuarit të parë, Lupço Palevski, i cili duhet të përgjigjet në pyetje të tërthorta të Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarve tjerë. Në seancën e kaluar, Palevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij Jovica Strasheski, mohoi përgjegjësinë për vrasjen e dyfishtë, duke thënë se nuk ka motiv për krime të tilla dhe se është viktimë e një “atentati moral”, i organizuar nga strukturat politike dhe mediatike.
Sipas tij, akuzat janë pjesë e përpjekjeve për diskretimin e tij për shkak të aktiviteteve të tij kundër korrupsionit dhe larjes së parave në vend, si dhe angazhim politik për organizimin e referendumit për çështjen me Bullgarinë. Palevski i hodhi poshtë akuzat për ngjarjet nga 22 nëntori i vitit 2023, dita kur, sipas Prokurorisë, ishte vrarë Pançe Zhezhovski, duke theksuar se kohërat dhe faktet e theksuara në akuzë nuk korrespondojnë me realitetin.
Palevski është dëshmitari i fundit i cili duhet të dëshmojë, pasi më parë, përveç dëshmitarëve të Prokurorisë, ishte marrë në pyetje babai Aleksandar Gjorçevski, si dhe të akuzuarit e tjerë.
I akuzuari Velibor Manev i sqaroi grabitjet dhe vrasjet e Vanjës dhe Pançes, duke theksuar se organizator ishte Lupço Palesvski. Boro Videvski e mohoi pjesëmarrjen e tij në ngjarje, përderisa, Vllatko Keshishev theksoi se ai nuk ka dëshmuar në të njëjtat, sepse shumë shpesh i ishte dhënë detyrë që të bëjë rojë.
Sipas akuzës, Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, akuzohen se bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që tua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup. E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023.