BDI: Për Qeverinë shqiptarët janë të padukshëm, asnjë përfaqësues shqiptar në delegacionin në Emiratet e Bashkuara Arabe

BDI: Për Qeverinë shqiptarët janë të padukshëm, asnjë përfaqësues shqiptar në delegacionin në Emiratet e Bashkuara Arabe

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kryeministrit dhe qeverisë për të zhvilluar një vizitë njëjavore zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe – konkretisht në Abu Dhabi dhe Dubai – pa praninë e asnjë përfaqësuesi nga partitë shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeveritar.

Në deklaratën e saj, BDI e cilëson këtë vendim si një fyerje të radhës ndaj partnerëve të koalicionit dhe, më thelbësisht, si një akt mosrespektimi ndaj popullit shqiptar në vend.

“Ky veprim dëshmon qartë se partitë shqiptare në qeveri trajtohen si figura simbolike – të heshtura, pa ndikim, dhe të përjashtuara nga proceset vendimmarrëse me rëndësi për shtetin. Ky nuk ishte një udhëtim turistik, por një vizitë shtetërore me peshë politike dhe ekonomike,” thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas kësaj partie, përjashtimi i përfaqësuesve shqiptarë nga delegacioni qeveritar përçon një mesazh të qartë dhe të rrezikshëm: shqiptarët nuk shihen si faktor në ndërtimin e të ardhmes së vendit.

“Kjo nuk është vetëm një fyerje për partitë shqiptare në qeveri – është një nënçmim i drejtpërdrejtë ndaj gjithë shqiptarëve, ndaj ekspertëve tanë, sektorit të biznesit, diasporës dhe kontributit të tyre të pakontestueshëm për shtetin. Me këtë sjellje, qeveria krijon qytetarë të kategorisë së parë dhe të dytë – një ndarje e papranueshme për një shtet multietnik.”

BDI thekson se si një parti që prej dekadash është angazhuar për barazi, përfaqësim dhe dinjitet të shqiptarëve, nuk mund dhe nuk do të qëndrojë e heshtur përballë këtij trajtimi.

“Ky është edhe një tregues tjetër se qeveria nuk e kupton dhe as nuk e respekton natyrën multietnike të shtetit. Në vend të barazisë – injorim. Në vend të partneritetit – poshtërim. I bëjmë thirrje kryeministrit të kërkojë falje publike para shqiptarëve dhe të japë llogari: a është kjo ideja e tij për të ardhmen e shtetit?”

Në fund, BDI u bën thirrje edhe partive të tjera shqiptare pjesë e qeverisë që, sipas saj, përmes heshtjes po bëhen bashkëpërgjegjëse për këtë diskriminim.

MARKETING