BDI: Përgjegjësia nuk shmanget – ajo merret

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekziston një traditë e qartë: kur ndodh një tragjedi e madhe, ministrat japin dorëheqje – si një akt moral, si shprehje e ndërgjegjes dhe respektit ndaj qytetarëve. Kështu thuhet në komunikatën e BDI-së, në të cilën janë numëruar disa raste tragjike ku ministrat kanë dhënë dorëheqje.
“Në vitin 1993, kur ra një aeroplan mes Shkupit dhe Ohrit me qindra viktima, ministri Peshev dha dorëheqje.
MARKETING
Kur u mbyt një anije me turistë bullgarë, ministri Janakieski bëri të njëjtën gjë – edhe pse dorëheqja nuk u pranua.
Pas tragjedisë me spitalin modular në Tetovë, ministri dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, dhanë dorëheqje – edhe pse të papranuara, ato ishin një akt përgjegjësie morale.
Edhe kur drejtësia u përkul nën presion politik në rastin e vogëlushit Almir, ministri i Drejtësisë Bilen Salihu dha dorëheqje – si një akt i sinqertë përballë padrejtësisë.
Por sot, pas një tragjedie në të cilën humbën jetën mbi 60 të rinj – tragjedi që duhej të parandalohej drejtpërdrejt nga Ministria e Punëve të Brendshme – as ministri, as drejtori i Byrosë për Siguri Publike nuk kanë dhënë dorëheqje. Përkundrazi, me arrogancë mbulojnë dështimin e tyre.
E njëjta figurë që duhej të parandalonte, sot e udhëheq “hetimin”, akuzon të tjerët dhe përmes presioneve politike mbi prokurorinë përpiqet të bëjë pazare për të shpëtuar veten.
Kjo nuk është vetëm rënie morale e një funksionari – ky është fytyra e vërtetë e një pushteti që nuk e njeh kuptimin e përgjegjësisë.
Ky është një sistem që fillimisht i flijon qytetarët, e më pas e flijon të vërtetën.
Përgjegjësia nuk është deklarative – ajo dëshmohet me vepra.
Qytetarët kërkojnë drejtësi – politike, institucionale dhe morale”, thuhet në komunikatën e BDI-së.