Gjorçevski refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të Palevskit, tha vetëm se nuk e njeh

“Nuk kam koment” ka qenë përgjigjja në pyetjet e parashtruara nga i akuzuari Ljupço Palevski ndaj babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili sot dëshmoi në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Gjorçevski u përgjigj vetëm në pyetjen e parë të Palevskit, në lidhje me atë nëse ka dëgjuar se ka qenë në komunikim me cilindo anëtar të familjes së tij, me ç’rast është lutur që të mos përgjigjet më në pyetjet e Palevskit.
“Unë ashtu siç tanimë thash, as nuk di kush jeni e as nuk ju njoh, për herë të parë më kanë përmendur juve në stacionin policor si monstër, për herë të parë ju kam parë këtu në gjykatë, për herë të parë në jetë, asnjëherë nuk kam kontaktuar me ju, aq më pak nuk njoh person të dorës së dytë që ju njeh juve, duke përfshirë dhe familjen time dhe doja të shfrytëzoja, nëse ekziston ajo e drejtë, të mos përgjigjem më në pyetjet e juaja, secila përgjigje e imja e ardhshme do të jetë e njejtë”, tha ai.
Gjykata vendosi vazhdimin e marrjes në pyetje, ndërsa Aleksandri në secilën pyetjeje të radhës nga Palevski, i përgjigjej me “nuk kam koment”.
Midis pyetjeve, kishte pyetje “a keni dëgjuar nga babai i Vanjës, Vanço Lazarov, apo ndonjë pronar i banesës se ka pasur ndonjë problem me mua në lidhje me pronat e ndërtesave” dhe “nëse unë dhe ju ishim në bashkëpunim për përfitime materiale, për ta detyruar Zorica Gjorgevskën të jepte para siç thuhet në akuzë, a nuk është e logjikshme që të vritet Zorica Gjorgevska, e jo Vanja Gjorgjevska, si kujdestar ligjore do të trashëgoni gjithçka, përfitimi material do të ishte realizuar sepse të dy fëmijët janë të mitur, a është ashtu?.
Pas disa “nuk kam koment”, Palevski komentoi se, siç tha ai, “për shkak të marrëdhënieve njerëzore do të ndalem me pyetje sepse Gjorçevski është i shqetësuar”, në çka avokati mbrojtës i babait të Vanjës tha se ai ishte i lirë të vazhdojë.
“Meqë i akuzuari Aleksandar Gjorçevski është i shqetësuar, do të ndalem me pyetjet. Bëhet fjalë për marrëdhëniet njerëzore. Ka mbaruar me mua. Nuk dua të bëj pyetje kur e shqetësoj njeriun që besoj se është dënuar padrejtësisht”, tha Palevski.
Pastaj parashtroi pyetje se pse as në akuzë e as në pyetjet e prokurorisë, as në pyetjet nga prokuroria nuk përmendet ora e dërgimit të mesazheve.
I pyetur “Në sa ora i keni dërguar mesazh fëmijëve të vishen për shkak të temperaturave të ulëta, sepse qëllimisht, gjatë tërë hetimit, nuk përdoret ora, por vetëm ditët në përgjithësi, e shumë është e rëndësishme për shkak të deklaratave, të cilat i dhanë të akuzuarit e tjerë, e janë arsyet e vetme që ju të akuzoheni, prandaj mendova se ora ishte e rëndësishme, sepse ju akuzoheni pa të drejtë”, u përgjigj “nuk kam koment”.
Të akuzuarit e tjerë dhe mbrojtja, si dhe Gjykata, nuk kishin pyetje për Gjorçevskin.
Më parë, babai i Vanjës iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë, e cila po përpiqej ta skualifikonte. Ai iu përgjigj pyetjeve në lidhje me jetën e tij, zhdukjen e Vanjës dhe kërkimin e saj. Ai kritikoi policinë, duke thënë se nuk kishte parë ndonjë hap konkret për të gjetur Vanjën.
Gjykimi vazhdon të hënën, më 14 prill, me dëshminë e të akuzuarit Lupço Palevski.
Në akuzë qëndron se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14 vjeçares Vanja me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblesë. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezhovski, në Veles, megjithatë, sipas akuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t’ua japë automjetin e tij “Citroen”, në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.
E mitura Vanja dhe Pançe i Velesit, u raportuan si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit.