(VIDEO) Arrestime në fabrikën e kanabisit, gjenden fuçi të dyshimta

Kontrolle të jashtëzakonshme janë kryer në një kompani në Gostivar, e cila posedon leje për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ministria e Punëve të Brendshme informoi se gjatë kontrollit janë gjetur fuçi plastike të mbushura me marihuanë për të cilat kompania nuk posedon asnjë dokumentacion. Kompani kjo e cila është në pronësi të personit me inicialet A.K 52 vjeç nga Republika e Shqipërisë dhe A. R. nga Bosnja dhe Hercegovina.
Ndërkaq nga MPB theksuan se kontrolli i objektit, është kryer në prani të njërit prej pronarëve dhe drejtuesve, A. K. dhe punonjësit C.I 39 vjeç nga Republika e Sllovenisë, me vendbanim të përhershëm në fshatin Sedlarce e Epërme, rajoni i Tetovës.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Në procesin e rritjes së bimës së kanabisit janë konstatuar një sërë parregullsish që bie ndesh me Ligjin për kontrollin e drogave narkotike, për këtë arsye dyshohet se prodhimi i kanabisit ishte i destinuar për tregun ilegal. Gjithashtu u konstatua se kanabisi thahej në dy salla, dhe në njërën nga sallat u gjetën nëntë fuçi të mbushura me lule të thatë kanabisi, për të cilin personi juridik nuk kishte dokumentacion”.
Ndërkaq, pas udhëzimeve të prokurorit publik, kanabisi i gjetur (bimët dhe lulja e tharë) është sekuestruar dhe dorëzuar në Agjencinë për menaxhimin e pasurisë së pronës së konfiskuar, ndërsa pronari dhe punonjësi janë arrestuar.
Anida Murati /SHENJA/