Një banor i Kondovës ka kërcënuar me telefon një fëmijë se do ta vrasë atë dhe babain e tij

Një banor i Kondovës ka kërcënuar me telefon një fëmijë se do ta vrasë atë dhe babain e tij

Një 35 vjeçar, banor i fshatit Kondovë të Shkupit, dyshohet se përmes aplikacionit WhatsApp, disa herë e ka kërcënuar rëndë një fëmijë se do ta vrasë atë dhe babain e tij, njofton Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Shkup, raporton SHENJA.

Prokuroria thotë se i dyshuari në shtëpinë e tij në Kondovë mbante në mënyrë të paligjshme një armë zjarri – pistoletë gjysmë automatike të kalibrit 7.65 milimetra, me dy korniza dhe 24 fishekë.

“Për t’u mburrur se ka armë zjarri, i dyshuari fillimisht në muajin shkurt ka dërguar një videoklip në numrin e telefonit që ka përdorur fëmija në atë kohë, ku shihet teksa ishte në një dasmë duke qëlluar me automatik. Fëmija e ka ruajtur videon në telefonin e tij”, thuhet në përshkrimin e rastit nga Prokuroria.

Më pas, shton Prokuroria, më 7 prill 2025, kur fëmija tashmë përdorte një numër tjetër telefoni, i dyshuari e ka telefonuar përmes aplikacionit dhe i ka kërcënuar seriozisht se do ta vriste atë dhe babain e tij nëse do të publikonte pamjet me automatik.

“Pas disa orësh ai e ka telefonuar sërish fëmijën dhe ka vazhduar kërcënimet e tij me zë të lartë, duke e bërë të ndjehet i pasigurt dhe i frikësuar”, kanë thënë nga Prokuroria Publike.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër personit për veprat penale – prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar me armë ose lëndë plasëse dhe rrezikim i sigurisë.

Për shkak të ekzistimit të rrethanave që tregojnë rrezik për arratisje dhe rrethanave të veçanta që arsyetojnë frikën se do ta përsërisë veprën, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

MARKETING