OKB-ja dënon vrasjen e gazetarëve nga Izraeli në Gaza

OKB-ja dënon vrasjen e gazetarëve nga Izraeli në Gaza

OKB-ja ka kritikuar ushtrinë izraelite për shënjestrimin e qëllimshëm të gazetarëve në Gaza, duke theksuar se gazetarët nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër gjatë kryerjes së detyrave të tyre për të informuar publikun dhe për të kontribuar në llogaridhënie.

Zëdhënësi i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Thameen Al-Kheetan, iu përgjigj me shkrim pyetjeve të Anadolu-t lidhur me shënjestrimin e qëllimshëm dhe sistematik të gazetarëve nga Izraeli në mes të sulmeve të vazhdueshme ndaj Gazës.

“Ne jemi të shqetësuar nga informacionet që sugjerojnë fuqishëm se gazetarët palestinezë në Gaza mund të jenë shënjestruar drejtpërdrejtë nga ushtria izraelite gjatë kryerjes së punës së tyre, gjë që do të përbënte krim lufte”, tha Al-Kheetan.

Ai theksoi se gazetarët që raportojnë nga zonat e konfliktit konsiderohen dhe mbrohen si civilë sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Numri i gazetarëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023 është rritur në të paktën 211. Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar, ushtria izraelite rifilloi sulmet e rënda mëngjesin e 18 marsit.

“Ata nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër pasi kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun dhe për të kontribuar në llogaridhënie”, tha Al-Kheetan.

Ai thekson se sulmi i qëllimshëm ndaj gazetarëve përbën shkelje të së drejtës për jetë sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, si dhe tha se refuzimi i Izraelit për lejimin e gazetarëve të huaj në Gaza, përveç në rrethana të kufizuara dhe të kontrolluara, paraqet shkelje serioze të së drejtës për qasje në informacion.

Al-Kheetan theksoi se Izraeli është i detyruar urgjentisht dhe plotësisht të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar gjatë konflikteve. Siç tha ai, kjo përfshin respektimin e parimit të dallimit ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve si dhe marrjen e të gjitha masave të mundshme për të mbrojtur civilët nga sulmet.

“Duhet të kryhen hetime të shpejta, të plota, të pavarura, të paanshme dhe efektive për të gjitha shkeljet e supozuara serioze nga forcat izraelite, me mbajtjen përgjegjës të autorëve dhe ofrimin e dëmshpërblimit për viktimat”, tha ai.

Më tej, Al-Kheetan tha se “vendet e treta duhet të ushtrojnë ndikimin e tyre për të parandaluar shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga palët në konflikt në Gaza, të përmbahen nga dhënia e mundësive për shkelje të tilla dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet”, tha ai.

Zëdhënësi i zyrës së OKB-së tha se vendet duhet të bashkëpunojnë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) në lidhje me krimet e kryera nga Izraeli ndërsa theksoi rëndësinë e përdorimit të juridiksionit universal në gjykatat kombëtare për të ndjekur penalisht krimet sipas ligjit ndërkombëtar.

MARKETING