Mickoski: Romët nuk janë “pakicë”, por një popull me traditë të pasur, me muzikë, me gjuhë, me histori, e zakone

Mickoski: Romët nuk janë “pakicë”, por një popull me traditë të pasur, me muzikë, me gjuhë, me histori, e zakone

Romët nuk janë “pakicë”, por një popull me traditë të pasur, me muzikë, me gjuhë, me histori, e zakone. Ata janë bashkëqytetarët tanë, fqinjët, miqtë, bashkëpunëtorët tanë dhe më e rëndësishmja – qytetarë me të njëjtën vlerë dhe dinjitet si çdo kush tjetër, porositi sonte kryeministri Hristijan Mickoski në shënimin e Ditës ndërkombëtare të romëve – 8 Prilli.

“Me respekt të sinqertë dhe ndjenjë të thellë të përgjegjësisë, sot ju drejtohem me rastin e 8 Prillit – Dita Ndërkombëtare e Romëve. Kjo ditë ka një simbolikë të fuqishme. Është ditë kujtimi – për historinë, përndjekjen, mënjanimin, por edhe ditë dinjiteti, rezistence dhe shprese. Është një ditë kur jo vetëm që festojmë kulturën rome, por edhe flasim me zë të lartë për padrejtësitë me të cilat ky komunitet është përballur dhe për përkushtimin tonë si shtet për t’i tejkaluar ato padrejtësi. Romët janë pjesë përbërëse e shtetit tonë. Ata nuk janë ‘pakicë’, por popull me traditë të pasur, me muzikë, me gjuhë, histori, e zakone”, tha kryeministri Mickoski.

Ai theksoi se ata janë bashkëqytetarët tanë, fqinjët, miqtë, bashkëpunëtorët tanë dhe më e rëndësishmja – qytetarë me të njëjtën vlerë dhe dinjitet si çdo kush tjetër.

“Por e vërteta është se komuniteti rom për shumë kohë ka jetuar në margjinat e shoqërisë. Të jemi të sinqertë, pabarazia është reale. Ka barriera të sistemit dhe ne marrim përgjegjësi për t’i shembur ato barriera, hap pas hapi, politikë pas politike, projekt pas projekti. Arsimi është çelësi i përfshirjes. Ne e dimë se arsimi është themeli i çdo shoqërie të begatë. Prandaj, Qeveria investon në politika të cilat do të sigurojnë një fillim të barabartë për çdo fëmijë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo sociale”, theksoi kryeministri.

Në fjalimin e tij, Mickoski u shpreh se arsimi nuk është vetëm mësim faktesh, është mësim i vetëbesimit, është rruga drejt dinjitetit, është ura që e çon çdo të ri nga margjinat në qendrën e shoqërisë.

“Për fëmijët romë, arsimi nuk është vetëm një opsion, por një shpresë. Është përgjigje ndaj brezave të padrejtësisë, mënjanimit dhe harresës. Kur një fëmijë rom hyn në klasë, është një akt rezistence. Kur ai diplomohet, është fitore e drejtësisë. Prandaj, Qeveria e ka vendosur barazinë në arsim si prioritet”, tha Mickoski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se Qeveria po punon intensivisht për përfshirjen e romëve në tregun e punës përmes masave aktive për punësim në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim, të fokusuara veçanërisht te të rinjtë romë dhe gratë, trajnimeve për zejtari dhe aftësi digjitale, si dhe mundësive për vetëpunësim përmes granteve dhe mentorimit.

“Në periudhën nga viti 2023 deri sot, më shumë se 1.000 romë kanë gjetur punë ose kanë hapur biznesin e tyre. Mbështesim rinovimin e çative, rrjetin e kanalizimit, qasjen në ujë dhe energji elektrike në Shuto Orizar, Manastir, Koçan, Dellçevë dhe në komuna të tjera. Po ndërtohen banesa të reja sociale. Çdo familje meriton një shtëpi – jo një zgjidhje të përkohshme, por një shtëpi të vërtetë, të sigurt dhe dinjitoze. E dimë se integrimi nuk është i plotë pa zë dhe pjesëmarrje. Prandaj e inkurajojmë organizimin politik dhe përfaqësimin e romëve në pushtetin lokal dhe atë qendror”, tha kryetari i Qeverisë së RMV-së.

Ai bëri me dije se Qeveria mbështet organizatat qytetare rome, manifestimet kulturore dhe pjesëmarrjen në debatet publike.

“Në Kuvend, në Qeveri, në institucionet, vendi i romëve duhet të jetë i hapur dhe i pranuar”, tha Mickoski.

Prandaj, shtoi ai, “sot nuk është vetëm ditë përkujtimi, por ditë e llogaridhënies, ditë kur e rinovojmë betimin tonë”.

“Se nuk ka përparim pa barazi. Se nuk ka liri pa drejtësi. Se nuk ka zhvillim pa përfshirjen e të gjithëve. Ndërtojmë një Maqedoni si shtet për të gjithë. Për çdo fëmijë, çdo familje, çdo njeri, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare apo sociale. Gëzuar 8 Prillin, Ditën Ndërkombëtare të Romëve! Rroftë dinjiteti. Rroftë diversiteti. Rroftë bashkëjetesa”, tha në fund të fjalimit kryeministri Hristijan Mickoski në në shënimin e Ditës ndërkombëtare të romëve.

MARKETING