(VIDEO) Sindikata dhe Federata me deklaratë, gazetarët duhet të jenë të sigurt dhe të paguar mirë

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Medial në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve ka prezentuar sot deklaratën e përbashkët në të cilën kanë kërkuar përmirësimin e të drejtave profesionale dhe kushteve të punës së gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë. Deklarata, e cila u mbështet edhe nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Instituti RESIS, u krijua pas një aktiviteti treditor “Misioni për skriningun dhe përfaqësimin për të drejtat profesionale dhe të punës të gazetarëve dhe punëtorëve mediatik në vend, pjesë e projektit “Të drejtat e punës për gazetari të pavarur” të mbështetur nga Bashkimi Europian. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik, Pavle Bellovski tha se deklarata bazohet në faktin se gazetarët dhe mediat profesionistë duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis të lirë mediatik, pa presione dhe kërcënime.
PAVLE BELLOVSKI, KRYETAR I SINDIKATËS SË PAVARUR TË GAZETARËVE DHE PUNËTORËVE MEDIATIK
“Kjo vizitë apo mision është i rëndësishëm për ne nga disa aspekte, para së gjithash mbështetja që marrim nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, e cila përfaqëson qindra mijëra gazetarë nga e gjithë bota, do të thotë shumë për ne, por është gjithashtu e rëndësishme për shkak të përvojës dhe njohurive që ata kanë kur bëhet fjalë për luftën për të drejtat e punës dhe përfaqësimin për zgjidhjen e drejtpërdrejtë dhe përmirësimin e medias”.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Antony Belanger tha se gazatarët janë zëri i qytetarëve prandaj meritojnë kushte më të mira të punës.
ANTONY BELANGER, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I FEDERATËS NDËRKOMBËTARE TË GAZETARËVE
“Kurrë mos harroni se gazetarët punojnë në interes të publikut, mos harroni kurrë se gazetarët punojnë në interes të qytetarëve të vendit të tyre. Demokracia duhet të mbrojë një shtyp të lirë dhe të pavarur. Demokracia duhet t’u mundësojë mediave dhe gazetarëve të punojnë në kushte të mira. Demokracia duhet të sigurojë pavarësinë etike dhe ekonomike të gazetarëve të saj dhe pluralizmin e medias”
Ekspertja e Ligjit për Media, Deirdre Kevin tha se është e nevojshme që të zhvillohet legjislacion krejtësisht të ri për mediat.
DEIRDRE KEVIN, EKSPERTE E LIGJIT PËR MEDIA
“Është shumë e rëndësishme të vazhdohet me procesin e përmirësimit të legjislacionit të medias, veçanërisht në përputhje me Ligjin Europian për Lirinë e Medias. Kjo vlen edhe për mbrojtjen e kushteve të punës së gazetarëve. Natyrisht, nevojitet edhe transparenca e financimit të medias”.
Në deklaratë theksohet se Ligji për Media duhet t’i ketë parasysh standardet demokratike, por edhe dokumentet dhe vendimet ndërkombëtare, si të federatës ndërkombëtare të gazetarëve ashtu edhe të agjencive kryesore të Kombeve të Bashkuara.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/