Zjarrfikësit e Koresë së Jugut në garë për t’i dhënë fund zjarreve katastrofike

Mijëra zjarrfikës po shuajnë me sukses zjarret më shkatërruese në historinë e Koresë së Jugut, të ndihmuar nga dukshmëria më e mirë dhe temperaturat më të ftohta nga shiu gjatë natës, transmeton Anadolu.
“Ne planifikojmë të mobilizojmë të gjitha burimet e disponueshme për të shuar flakët kryesore deri në fund të ditës”, tha Lim Sang-seop, shefi i Shërbimit Pyjor të Koresë (KFS), raportoi Agjencia e Lajmeve Yonhap.
“Dukshmëria dhe temperaturat e përmirësuara kanë krijuar kushte të favorshme për të frenuar flakët”, tha Lim.
Shkalla e kontrollit të zjarrit masiv në Uiseong, i cili është përhapur në rajone të tjera për tetë ditë, është rritur në 95 për qind, thanë zyrtarët.
Sipas agjencisë Yonhap, Shtabi Qendror i Kundërmasave të Fatkeqësive dhe Sigurisë ka thënë se zjarret në provincat e Gyeongsang Verior dhe Jugor kanë shkaktuar 28 të vdekur dhe 37 të lënduar.
Më shumë se 37.000 banorë janë zhvendosur, përfshirë 30.000 në zonat Uiseong dhe Andong, rreth 190 kilometra në juglindje të Seulit.
Zjarret pyjore kanë dëmtuar rëndë rajonin, duke djegur, sipas të dhënave të qeverisë, 48.000 hektarë pyje.
Rreth 20.485 njerëz janë kthyer në shtëpi pas evakuimit ndërsa 16.700 të tjerë janë ende duke qëndruar në strehimore.
Ndryshe, mijëra zjarrfikës, dhjetëra helikopterë dhe automjete të urgjencës janë vendosur që nga fillimi i zjarreve të premten e kaluar në qarkun Sancheong, Provinca Gyeongsang Jugor. Të nxitur nga erërat e forta dhe të thata, zjarret janë përhapur që atëherë me shpejtësi në veri në Uiseong, Andong, Cheongsong, Yeongyang dhe Yeongdeok.
Ushtria e Koresë së Jugut ka vendosur gjithashtu më shumë se 5.000 pjesëtarë të shërbimit dhe ka dërguar 146 helikopterë për të ndihmuar në luftimin e zjarreve së bashku me mijëra zjarrfikës.