Ibrahimi: VLEN-i mbetet përmbysje e regjimit të kalbur, jo kalkulator për përfitimin e pushtetit

Në kontekstin e spekulimeve për largimin e Arben Taravarit nga koalicioni VLEN, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka shpërndarë një shkrim në rrjetet sociale.
Ibrahimi thekson se “VLEN-i nuk është dhe nuk duhet të shndërrohet në një kalkulator që llogarit mënyrën e përfitimit të pushtetit”
Ja shkrimi i plotë i Ibrahimit në facebook:
Ideja e ngritjes së VLEN-it ka qenë dhe mbetet rrënimi i një sistemi të kalbur dhe zëvendësimi me një sistem të ri, pa korrupsion, si dhe me një vizion të ri të përfaqësimit.
Nga një lëvizje opozitare, në të kaluarën, në një koalicion qeverisës sot – VLEN-i nuk është dhe nuk duhet të jetë një kalkulator që e llogarit mënyrën e përfitimit të pushtet. VLEN-i është përtej kësaj – ky koalicion është përmbysje e një regjimi që për 22 vjet ishte përfaqësimi më i dobët për shqiptarët, që në fund u metaforizua me qendra tregtare si Soravia dhe me listën e zezë amerikane të personave non-grata.
Prandaj, në VLEN debatet për numra, për përqindje dhe për “kulaç” kanë qenë dhe mbeten çështje periferike.
Pyetja e vetme që ka rëndësi – atëherë dhe sot – është: a jemi ne ata që do ta rrënojmë regjimin dhe do të bëjmë ndryshimin?
Në zgjedhjet e kaluara qytetarët shqiptarë na besuan për këtë dhe na mandatuan.
Edhe zgjedhjet e ardhshme e kërkojnë përgjigjen e njëjtë.
VLEN është ideja që VLEN.