(VIDEO) Vdekja e 32 vjeçarit, Taravari shkarkoi drejtorin e spitalit të Kumanovës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e ka shkarkuar drejtorin e Spitalit të Kumanovës, Stefan Trajanovskin, një hap që pason vdekjen e 32-vjeçarit Vedat Ademi. Taravari ka sqaruar se vendimin e ka marrë pasi e ka lexuar raportin që e kishte përgatitur Inspektorati Sanitar Republikan. “Pasi e lexova raportin menjëherë e shkarkova drejtorin e spitalit të Kumanovës. Prej sot drejtori i spitalit të përgjithshëm të Kumanovës është i shkarkuar”, deklaroi Taravari.
ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Nesër pas disa konsultimeve që do t’i bëj me ekipin tim në ministri besoj se do ta emërojmë drejtorin e ri të spitalit të Kumanovës, kurse ekipi profesional i mjekëve prej 5 ekspertëve të mjekësisë, do t’i analizojmë të gjitha dokumentet dhe të njëjtat do të dorëzohen në prokuroi. Më tutje, për përgjegjësinë profesionale të mjekëve e kanë për obligim që ta bëjnë organet e hetuesisë dhe gjykatës”.
Kujtojmë se 32 vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës më 17 mars. Ai paraprakisht kishte ardhur për kontroll pasi është ankuar për probleme me stomakun. Sipas familjarëve, atij i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik.
Ndërkaq, drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por se në vend të përmirësimit ai ka pasur dhimbje në gjoks pas çka ka ndërruar jetë, duke shtuar se në atë spitalë lindin dhe vdesin njerëz.
Samir Mustafa /SHENJA/