Prokuroria me detaje të reja: Shtatë policë i mundësuan marrjen e licencës diskotekës “Pulse” në Koçan

Prokuroria me detaje të reja: Shtatë policë i mundësuan marrjen e licencës diskotekës “Pulse” në Koçan

Prokuroria konfirmoi se 7 zyrtarë të policisë i janë shtuar listës së personave të dyshuar pas ngjarjes tragjike në Koçan, ku si pasojë e zjarrit në diskotekën “Puls”, humbën jetën 59 persona, ndërsa 180 të tjerë u lënduan. Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat në fjalë dyshohet se i kanë mundësuar pronarit të diskotekës të marrë licencë në mënyrë të kundërligjshme. “Të dyshuarit, me përgatitjen, nënshkrimin dhe miratimin e pëlqimit pozitiv, i kanë mundësuar personit juridik që të marrë licencë për të ushtruar veprimtari hoteliere – kabare, edhe pse objekti nuk i plotësonte kushtet ligjore për funksionim”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në ndërkohë gjykata e Koçanit ia ka vazhduar masën e paraburgimit prej 48 orësh 10 personave në rastin e zjarrit në diskotekën “Puls”, ndërsa për gjashtë të tjerët pritet të merret vendim në vazhdim. Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka dorëzuar propozime në gjykatën kompetente për vazhdimin e masës së paraburgimit për 48 orë të tjera për 16 personat e deritanishëm të përfshirë në procedurë, të cilëve masat u skadon gjatë ditës. Dy persona të tjerë, me kërkesë të prokurorisë, dje janë caktuar në masën e paraburgimit dhe janë ende në paraburgim. Në total deri më tani është kërkuar paraburgimi afatshkurtër për 18 persona.

 

MARKETING