(VIDEO) Ligji i branitellave, rikthehen tensionet në komisionin për politikë sociale, demografi dhe rini

Debati për Ligjin e Branitellave ka rikthyer tensionet në Komisionin parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Edhe sot, seanca e këtij komisioni, ku në rend dite ishte vetëm propozim ndryshimet e ligjit për sigurim pensional dhe invalidor me procedurë të shkurtuar, ka kaluar me debatë të ashpër e përplasje mes deputetëve të LSDM-së dhe atyre të shumicës parlamentare. LSDM insistonte që të propozojë ndryshime të rendit të ditës, për të propozuar që të shtohet edhe ligji për branitellat, por deputetja Imerlije Saliu Fetai, të cilën e caktoi kryeparlamentari për të kryesuar me këtë seancë, tha se është e caktuar që të kryesojë me këtë komision vetëm për një pikë të rendit të ditës. Por, sipas deputetit të LSDM-së, Oliver Spasovski, në asnjë nen të rregullore nuk theksohet se, Fetai është emëruar vetëm për një pikë të rendit të ditës.
Oliver Spasovski, Deputet i LSDM-së
“Cilido anëtar i komisionit që do ta caktojë kryetari, mund ta thirrë seancën, megjithatë nuk mundet assesi ta udhëheqë seancën në kundërshtim me rregulloren dhe të mos lejojë të kemi ndryshime dhe plotësime të rendit të ditës. Do të thotë, zotëri Stojanovski një gjë është që ne do ta mbështesim ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, njëjtë sikurse është qëndrimi juaj se dëshironi ta mbështesni ligjin për branitellat”.
Spasovski u kundërshtua nga deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanoski, i cili tha se, kryeparlamentari ka ngarkuar deputeten Fetai të udhëheqë seancë e komisionit me rend dite të caktuar.
Bojan Stojanoski, Deputet i VMRO – DPMNE-së
“Nuk është e rëndësishme se kush çfarë ligji dëshiron të propozojë, plotësojë e kështu me radhë. E rëndësishme është që në këtë shtet ndonjëherë të respektohet ligji dhe rregullorja. Duhet të kuptoni se, nëse duam të ndërtojmë sistem, duhet t’i respektojmë rregullat. Në këtë shtet duhet të respektohen rregullat. Ju duhet më së miri ta kuptoni këtë”.
Nga ana tjetër, deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri akuzoi LSDM-në se po përdorë ligjin e branitellave për pikë politike, duke përsëritur se ky ligj nuk do të kalojë në përmbajtjen që është dorëzuar në Kuvend.
Rijad Shaqiri, Deputet i VLEN-it
“Ky ligj nuk kalon përderisa nuk janë të përfshirë edhe ish ushtarët e UÇK-së, përndryshe në vazhdimësi do të kemi një problem dhe përgjegjësia për moskalimin e ligjeve në rendin e ditës do të jetë e juaja, sepse ju jeni në vazhdimësi një strukturë e njerëzve që po bllokoni këtë strukturë”.
Edhe përkundër këtyre përplasjeve dhe kundërshtimeve të opozitës, shumica parlamentare arriti të votojë rendin e ditës me vetëm një pikë, atë të ligjit për sigurim pensional dhe invalidor dhe pas votimit, deputetja Fetai e konstatoi rendin e ditës. Me këtë u debllokua puna e komisionit, që për një kohë ishte bllokuar, pikërisht për shkak të zhvillimeve që ndodhën si pasojë e propozim ligjit për të drejtat e branitellave.
Teuta Buçi /SHENJA/